Vrasja e vjehrrës/ Oltjan Lami tregon konfliktet: Në videon e hoxhës, Marjana shfaqej me fytyrë, tregonte…

Shqipëria

Vrasja e vjehrrës/ Oltjan Lami tregon konfliktet: Në videon e hoxhës, Marjana shfaqej me fytyrë, tregonte…

Më: 16 mars 2018 Në ora: 09:47
Nusja-Dhendri

Oltjan Lami, djali i 47-vjeçares që u helmua nga nusja e tij në prill të vitit të kaluar, tregon konfliktet që kishte pasur Marjana Cmeta me të ëmën. Ai tregon se në një rast ishte bërë vetë dëshmitar i një përleshjeje mes të dyjave dhe e kishte ndarë nusen, por e kishte falur pas lutjeve të së ëmës.

Ish-bashkëshorti i autores së krimit tregon se ka pasur dyshime për ngjarjen, që prej ditës kur ndodhi, pasi kishte parë shenja në fytyrën e nënës. Më pas, ishte bindur pas raportit mjeko-ligjor që hidhte poshtë vdekjen si pasojë e infarktit dhe thuhej se nëna e tij ishte vrarë. Oltjan Lami tregon se ka shkuar te hoxha Hysen Shehu dhe aty është bindur plotësisht, pasi ka parë videon ku Marjana Cmeta tregonte se si e kishte helmuar nënën e tij.

Si kanë qenë marrëdhënia e nënës suaj me nusen, Marjanën?

Në fillim, nëna ime shkonte shumë mirë me nusen. Edhe nusja e donte, e respektonte. Me aq sa shihja unë, dukej se ishte diçka e sinqertë. Më pas, filloi të ndryshonte situata. Marjana nuk e donte më mamin. Edhe kur mami iku në fshat, nuk e merrte në telefon që të fliste me të. Madje, ndonjëherë edhe e pyesja se përse nuk e merrte mamin në telefon, por nuk më kthente përgjigje.

Pse u prish marrëdhënia e tyre?

Marjana dyshonte se mos mami im i bënte keq. Dyshonte për magji. Shumë shpesh thoshte: “Magjistarja duhet dënuar”. Mendonte se ishte magjistare mami im dhe thoshte shumë shpesh që do ta vriste magjistaren.

Keni qenë ndonjëherë dëshmitar i zënkave të tyre?

Pesë muaj para se të ndodhte ngjarja, ka ndodhur një konflikt i ashpër mes tyre. U kapën me njëra-tjetrën, u kacafytën. Unë i gjeta duke u zënë te dhoma ime dhe i ndava. Pas kësaj ngjarje u ndava me Marjanën. Por duke qenë se nëna ime e donte, e falëm dhe e morëm prapë në shtëpi.

Po ditën që ndodhi ngjarja, ku ndodheshit, si e morët vesh?

Atë ditë nuk ndodhesha në shtëpi. Mami kishte ardhur këtu për të shitur qumësht dhe ka rastisur vetëm me Marjanën në shtëpi. Më ka njoftuar me mesazh Marjana dhe më tha që mami nuk ndjehej mirë, kishte probleme shëndetësore. E kemi çuar te Spitali Ushtarak dhe aty në fakt më thanë se ndërroi jetë nga infarkti. U trondita shumë, sepse mamin e kam dashur jashtë mase. Fillova të dyshoj, sepse pashë shenja dhune në trupin e saj. Kishte një shenjë kafshimi në fytyrë dhe shenja thonjsh.

Pra, ju filluat të dyshoni që atë ditë kur ndodhi ngjarja?

Dyshova atë ditë, por më shumë një ditë pas varrimit. Marjana më thirri të shkoja te dhoma, duke më thënë se kishte frikë të shkonte vetëm dhe do ndërrohej. Shkova me të dhe kur hoqi bluzën i pashë në krah disa shenja, si të nxira. E pyeta se çfarë ishin ato të nxira. “M’i kanë bërë gratë ditën e varrimit duke më shtrënguar, pasi po qaja”, më tha. Në fakt, unë nuk e kam parë duke qarë atë ditë, pasi rrinte gjithë kohës me kokën e ulur. Që atë ditë fillova të dyshoja më shumë.

Çfarë ndodhi më vonë?

Pesë ditë pasi ndodhi ngjarja, u konfirmuan ato që dyshoja unë. Pra, që nëna nuk kishte vdekur nga infarkti, por ishte vrarë. Në raportin e mjekëve ligjorë thuhej se nëna ime ishte vrarë, nuk kishte vdekur nga zemra. Që nga ky moment pastaj, Marjana u largua nga shtëpia jonë dhe shkoi te prindërit e saj. Kisha shumë dyshime se ajo kishte gisht në këtë histori, por pa pasur një provë apo diçka të fortë në dorë, nuk mund ta fajësoja.

Si e morët vesh më vonë që ishte ajo fajtorja për vdekjen e nënës?

Kam shkuar te hoxha, te Hysen Shehu, për t’i kërkuar ndihmë, më shumë se si duhej të veproja. Aty e mësova gjithë të vërtetën. Marjana kishte shkuar para meje aty, kishte folur dhe kishte treguar gjithçka. Hoxha e kishte filmuar dhe ma tregoi të gjithë rrëfimin e saj.

Çfarë thoshte ajo në rrëfim?

Në video ajo shfaqej me zë dhe figurë, kështu që nuk kisha për çfarë të dyshoja më. Ajo ishte ulur në një divan aty dhe tregonte të gjithë ngjarjen. “E thirra, duke i thënë që të futej brenda në shtëpi. I dhashë një lëng portokalli dhe i thashë ta merrte se ma ka dhënë një hoxhë për të na bërë mirë. E kemi pirë të gjithë këtë lëng. Ka pak erë të rëndë, por ne e kemi pirë, kështu që pije edhe ti”. Kështu ishte shprehur te hoxha dhe kjo është e filmuar. Mami ka pranuar, duke e besuar që ishte vërtet për atë qëllim që thoshte ajo dhe e ka pirë lëngun. Por në atë video ajo shprehej se nuk e kishte bërë e vetme gjithë atë ngjarje. Thoshte që ka pyetur të ëmën dhe vëllain, pasi nuk mund ta merrte një vendim të tillë pa pyetur familjen. Ndërkohë, ajo, duke dashur që të mbyllej ajo histori dhe të largohej vëmendja, inskenoi një vetëvrasje. Thoshte që në rast se unë e merrja vesh se ajo kishte tentuar të vriste veten, do e largoja vëmendjen nga nëna dhe do merresha vetëm me të. Gjithçka e kishte bërë që ne të harronim këtë pjesën e vrasjes.

Marjana ka qenë shtatzënë kur ndodhi ngjarja dhe tani ju keni një vajzë të vogël. E keni takuar vajzën?

Jo, nuk e kam takuar akoma. Madje, akoma nuk i kam dhënë as atësinë. Po e mendoj këtë gjë dhe nuk kam vendosur se çfarë do të bëj.

Po babai juaj që tashmë është arrestuar, kishte dijeni për ngjarjen?

Arrestimi i babait, por edhe i kushëririt, për mendimin tim, është i padrejtë. Nuk duhej të ishin arrestuar, pasi ata siguruan provat që u arrit të zbardhej ngjarja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat