Parlamenti miraton ngritjen e komisionit hetimor për Saimir Tahirin

Shqipëria

Parlamenti miraton ngritjen e komisionit hetimor për Saimir Tahirin

Më: 16 mars 2018 Në ora: 07:09
Saimir Tahiri

Parlamenti ka miratuar zyrtarisht ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i kërkuar nga opozita. Me votat e mazhorancës dhe opozita është miratuar ngritja e komisionit me 11 anëtarë, ku mazhoranca ka shumicën, ndërsa opozita ka kryetarin.

Deputetët socialistë që janë pjesë e komisionit, janë: Ermonela Felaj, Klotilda Ferhati, Pjerin Ndreu, Paulin Stërkaj, Xhemal Qefalia dhe Bashkim Fino do të jenë pjesë e këtij komisioni prej 11 anëtarësh që do të drejtohet nga opozita.

Ndërkohë PD do të ketë katër anëtarë, përfshirë kryetarin e Komisionit Edi Paloka, përkatësisht deputetët Enkelejd Alibeaj, Myslym Murrizi dhe Flamur Noka.

LSI do të përfaqësohet me një anëtar, deputetin Endrit Braimllari.

Me 6 mars, mazhoranca dhe opozita miratuan me 121 vota pro dhe asnjë kundër ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Tahiri.

Objekti i punës së tij do të jetë verifikimi i pasojave të vendimit të parlamentit për të mos lejuar arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm të akuzuar për përfshirjen në trafikun e drogës.

Një tjetër objekt do të jetë dhe verifikimi i rolit të Ministrisë së Drejtësisë në ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, i akuzuar dhe si financier i grupit 'Habilaj' të arrestuar në Itali.

Opozita akuzon se me këto veprime, si Kuvendi ashtu edhe Ministria kanë ndikuar në procesin hetimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat