Gjuha shqipe, Bushati dënon urrejtjen e maqedonasve kundër shqiptarëve

Shqipëria

Gjuha shqipe, Bushati dënon urrejtjen e maqedonasve kundër shqiptarëve

Më: 15 mars 2018 Në ora: 19:34
ilustrim

Kuvendi i Maqedonisë miratoi dje ligjin për gjuhën shqipe, ndërsa seanca ishte mjaft e tensionuar ku pati edhe një përplasje mes Gruevskit dhe kryetarit të Kuvendit Xhaferi. Ndërkohë që ditën e sotme nuk ka munguar edhe gjuha e urrejtjes nga maqedonasit. Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve sot në mëngjes ishte mbuluar me mesazhe urrejtje për shqiptarët “Vdekje për shqiptarët” dhe shumë të tjerë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bushati reagoi duke shprehur indinjatën e thellë dhe dënon gjuhën e urrejtjes e sloganet ksenofobe kundër shqiptarëve në muret rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Kjo është hera e disatë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj.

Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, si dhe veprimet obstruksioniste e retorika e dëmshme e ditëve të fundit nga segmente të politikës së vjetër pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkon autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin’ thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme. Ligji për gjuhën shqipe u miratua dje, ndërsa opozita nuk mori pjesë, madje tentoi që të bllokonte kalimin e ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat