Banka e Shqipërisë hedh në treg 20 lekëshin e ri, ja çfarë ndryshon

Shqipëria

Banka e Shqipërisë hedh në treg 20 lekëshin e ri, ja çfarë ndryshon

Më: 15 mars 2018 Në ora: 18:40
Monedha shqiptare

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë njofton se duke filluar nga data 30 mars 2018, do të hidhet në qarkullim monedha metalike shqiptare me vlerë nominale 20 Lekë.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 20 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 120, datë 09.11.2016, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”.

Monedha e re metalike, me vlerë nominale 20 Lekë, emetim i vitit 2016, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 20 Lekë, emetim i vitit 2012.

Image

 

Po ashtu Këshilli miratoi Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionale dhe zhvillimorë.

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:

zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;

politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;

zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;

aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;

aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;

administrimi i burimeve njerëzore;

veprimtaria e kontrollit të brendshëm;

objektivat afatmesme të institucionit. Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017, si dhe rialokimin e disa rezervave të Bankës së Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat