Komisioni hetimor për Tahirin/ Ja deputetët e PS që do të mbrojnë ish-ministrin e Brendshëm...

Shqipëria

Komisioni hetimor për Tahirin/ Ja deputetët e PS që do të mbrojnë ish-ministrin e Brendshëm...

Më: 15 mars 2018 Në ora: 16:58
Saimir Tahiri

Zbardhen emrat e deputetëve socialistë që do të jenë pjesë e Komisionit hetimor për çështjen Tahiri. Komisioni në fjalë do të drejtohet nga Nënkryetari i Kuvendit, demokrati Edi Paloka.

Ndërsa si pjesë përbërese e tij, PS ka propozuar: Ermonela Felaj, Klotilda Ferhati, Pjerin Ndreu, Paulin Sterkaj Xhemal Qefalia dhe Bashkim Fino. Nënkryetare e Komisionit do të jetë deputetja e PS-së, Felaj.

Anëtarë nga PD janë Enkelejd Alibeaj, Myslim Murrizi Flamur Noka, Edi Paloka, ndërsa nga LSI do të jetë Endrit Brahimllari.

Partia Socialiste do të ketë shumicën në Komision, por drejtimi i tij i takon opozitës.

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm z.Saimir Tahiri.

“Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit administrativ të Kuvendit për pengimin e organit të Prokurorisë që të kërkonte në Gjykatë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm z.Saimir Tahiri, si dhe nxjerrja e provave që përbëjnë sekret hetimor nga anëtarët e Këshillit;

Veprimet dhe sjellja e Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, si dhe e çdo zyrtari tjetër publik, në pengimin apo intimidimin e organit të Prokurorisë, që të veprojë në mënyrë të pavarur dhe paanshme në hetimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm z.Saimir Tahiri;

Arsyet e veprimeve dhe sjelljes së Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave në intimidimin e organit të Prokurorisë mbi këtë hetim penal dhe vlerësimi i rrethanave mbi dijeninë e tyre për veprimtarinë kriminale apo ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre shtetërore në çështjen, për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm z.Saimir Tahiri, si dhe roli apo përgjegjësia e institucioneve shtetërore në parandalimin dhe ndëshkimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit apo trafikimit të lëndëve narkotike;

Ndërhyrjet nga organet e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në hetimin e kësaj çështje, si dhe efektet që kanë sjellë këto ndërhyrje”, thuhet në kërkesën e demokratëve.

Gjithashtu, komisioni do të hetojë edhe procedurat e ndjekura për ekstradimin në Itali të Nezar Seitit, për të cilin pritet të thërrasin për të dëshmuar ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko.

“Evidentimi i pengesave, që ka hasur organi i Prokurorisë në hetimin e këtij zyrtari të lartë, nga veprime apo mosveprime të paligjshme të organeve të tjera të administratës shtetërore;

Ligjshmëria e ekstradimit të personit tjetër nën hetim për të njëjtën çështje dhe efektet që sjell ky ekstradim në ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm; Rreziqet që paraqiten për hetimin e pavarur, të shpejtë, efikas dhe të gjithanshëm të kësaj çështje dhe mjetet që duhet të përdoren për eliminuar në mënyrë kushtetuese dhe ligjore këto rreziqe;

Vlerësimi mbi nevojat e organit të Prokurorisë për burime financiare dhe njerëzore, për hetimin e plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të kësaj çështjeje, si dhe verifikimi nëse këto burime janë vënë në dispozicion”, do të kërkojnë të hetojnë demokratët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat