Vendimi i ri për administratën, punonjësit që s’hyjnë në testim do shkarkohen

Shqipëria

Vendimi i ri për administratën, punonjësit që s’hyjnë në testim do shkarkohen

Më: 14 mars 2018 Në ora: 19:24
Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave ka ashpërsuar masat për nëpunësit civilë, të cilët nuk paraqiten në testimin e detyrueshëm pranë Departamentit të Administratës Publike.

Qeveria ka miratuar dje ndryshimet në vendimin nr.1037 të vitit 2015 dhe në vendimin e ri që është publikuar në Fletoren Zyrtare ka parashikuar sanksione për punonjësit e administratës, të cilët nuk paraqiten ditën e testimit.

Nisma e re qeverisë parashikon që çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nënshtrohet periodikisht testimit paraprak dhe procedurës së trajnimit çdo katër vite.

“Çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nënshtrohet periodikisht testimit paraprak dhe, kur është e nevojshme, procedurës së trajnimit çdo 4 vjet. Kur nuk është e mundur, ky vlerësim mund të shtyhet deri në 6 vjet. Përjashtimisht, nëpunësit civilë në njësitë teknike të përmbajtjes së sistemeve tatimore e doganore janë të detyruar t’i nënshtrohen kësaj procedure çdo 2 vjet”, thekson vendimi i qeverisë. Por, duke qenë se vendimi i vitit 2015 nuk parashikonte masa shtrënguese për punonjësit, të cilët nuk paraqiteshin në testim, atëherë qeveria në vendimin e ri ka shtuar një nen të posaçëm, shkruan “Panorama”.

Në vendimin e ri “për procedurat e vlerësimit të nëpunësve civilë për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë”, theksohet në pikën 4 se: “Mosparaqitja e nëpunësve civilë në testimin paraprak apo testimin në përfundim të trajnimit, pa shkaqe të arsyeshme, konsiderohet shkelje e detyrimeve të përcaktuara në ligjin e nëpunësit civil dhe përbën shkak për fillimin e ecurisë disiplinore”.

Vlerësimi

Por në vendimin e ri tashmë “fati” i nëpunësve që nuk kalojnë testin, nuk është më në dorën e eprorit direkt. Në rast se punonjësi vlerësohet me “jo kënaqshëm” edhe pas trajnimit tremujor, ndaj tij ndërpritet marrëdhënia e punës. Në vendimin e vitit 2015, në nenin 22 thuhej se:

“Në përfundim të procedurave të mësipërme, bazuar në rezultatet e testimit të realizuar nga KV-ja dhe në rezultatet e vlerë- simit 3- mujor, eprori direkt vendos përshtatshmërinë ose jopërshtatshmërinë e nëpunësit civil në pozicionin e punës”, thuhej në nenin e vitit 2015. Ndërsa në nenin 22 të ndryshuar thuhet se:

“Në përfundim të procedurave të mësipërme, nëpunësi civil vlerësohet jo i përshtatshëm me vendin e punës në rastin kur, si rezultati në përfundim të periudhës së vlerësimit 3- mujor ashtu edhe rezultati i testimit me shkrim në përfundim të trajnimit, janë ‘jo kënaqshëm’. Në rast se nëpunësi vlerësohet jo i përshtatshëm, atëherë njësia e Burimeve Njerëzore deklaron përfundimin e marrëdhënieve në Shërbimin Civil”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat