Gjobat nga tatimet, ekspertët: Ndryshimet ligjore po u vënë drynin bizneseve

Shqipëria

Gjobat nga tatimet, ekspertët: Ndryshimet ligjore po u vënë drynin bizneseve

Më: 14 mars 2018 Në ora: 16:16
Ilustrim

Bizneset e gjobitura në zbatim të ndryshimeve ligjore për fashën deri në 2 milionë lekë, kanë ndryshuar statusin në përpjekje për t’iu shmangur penalizimit. Kjo është një nga pasojat e këtij ligji, që sipas ekspertëve po mbyll një numër të madh biznesesh. Për një muaj, janë kontrolluar mbi 4 mijë subjekte, nga të cilat janë gjobitur 1295 prej tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në periudhën 5 shkurt - 11 mars të këtij viti, ka kontrolluar më shumë se 4.143 tatimpagues, nga të cilët 1.295 u penalizuan për shkelje të legjislacionit tatimor, ndërsa rreth 20% e tyre u penalizuan pasi nuk dispononin mallra të shoqëruara nga dokumentacioni tatimor.

Për ekspertët e fushës, këto kontrolle dhe efektet e tij kanë lidhje me zbatimin e ligjit të biznesit për fashën deri në 2 milionë lekë.

Bujar Bendo thotë, se bizneset e gjobitura duke u munduar t’i shmangen detyrimeve kanë kaluar nga statusi “aktiv” në status “pasiv”.

Bujar Bendo, ekspert: Kjo ka të bëjë me faktin, që ligji i TVSH për fashën deri në 2 milion u miratua në dhjetor. Iu la kohë bizneseve që deri më datën 1 prill të futen në TVSH. Nga ana e subjekteve të vogla janë bërë lëvizje, të ligjshme ose të paligjshme për të evaduar, që të mos bëhet përfshirja në TVSH.

Për Bendon, përfshirja e bizneseve, që përpara ndryshimit të ligjit nuk paguanin TVSH, në këtë skemë, sjell kosto dhe mund të ndikojë në mbylljen e aktivitetit të shumë bizneseve.

Bujar Bendo, ekspert: Përfshirja në TVSH të jep siklet të madh, rrit kompleksitetin financiar, do duhet të bësh deklarime më shumë, ke kosto të shtuara për pagesa, je më i kontrolluar sesa subjektet e fashës nën 2 milion, ndaj janë tërhequr. Një pjesë e bizneseve që mbyllen, janë këto lloj biznesesh.

Bendo thekson se ndryshimi i ligjit për përfshirjen e binzesit në TVSH, që ka mbi dy milionë lekë xhiro, po sjell mbyllje të shumë subjeketeve, efekt që do të ndihet deri në muajin prill.

Bujar Bendo, ekspert: Pas ndryshimit të ligjit nuk besoj se do të ketë shtim të bizneseve, por do ketë vetëm reduktime, por kjo do të jetë provizore, më pas do shohim efektet. Jam i bindur që deri në prill do të kemi vetëm ulje të numrit të bizneseve të regjistruara dhe rritje të numrit të bizneseve që kalojnë pasiv, që ç’regjistrohen apo mbyllen.

Gjatë fundjavës së kaluar, Drejtoria e Hetimit Tatimor angazhoi strukturat në varësi të saj për kontrolle në territor. U realizuan 299 kontrolle dhe u evidentuan 126 shkelje ose 42% e tatimpaguesve u gjobitën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat