Shkrihen drejtoritë bujqësore në vend, si do bëhet organizimi në 4 rajone

Shqipëria

Shkrihen drejtoritë bujqësore në vend, si do bëhet organizimi në 4 rajone

Më: 14 mars 2018 Në ora: 08:50
Edi Rama

Qeveria vendosi dje në Elbasan shkrirjen e drejtorive bujqësore të qarqeve dhe organizimin e vendit në katër rajone. Pas mbledhjes së qeverisë, të zhvilluar në Elbasan, Kryeministri Rama bëri publik vendimin duke vlerësuar rëndësinë e organizimit të ri.

“Nga sot nuk do kemi më Drejtori të Bujqësisë dhe kalojmë nga 13 drejtori bujqësie, që ishin një sistem parazit, i degraduar, atavizëm i së shkuarës, në 4+4 agjenci rajonale: 4 Agjenci Rajonale të Seksionit Bujqësor dhe 4 Agjenci Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Njëra prej këtyre Agjencive të Veterinarisë dhe të Mbrojtjes së Bimëve do të ketë si qendër Elbasanin. Nëpërmjet këtij procesi reformimi, ne do të forcojmë Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural më shumë, do të organizojmë shumë më mirë shërbimin e këshillimit bujqësor dhe do të krijojmë një instrument real në duart e atyre që kanë nevojë për këshillim bujqësor dhe kanë nevojë për garanci nga pikëpamja e shërbimit veterinar dhe e mbrojtjes së bimëve”, tha Rama.

Pritet që organizimi i ri i agjencive në 4 rajone të vijojë dhe me arsimin dhe shëndetësinë. “Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e agjencive rajonale të ekstensionit bujqësor si persona juridikë publikë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, me seli në Shkodër, Tiranë, Lushnjë dhe Korçë. Agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor financohen nga buxheti i shtetit, i miratuar për ministrinë përgjegjëse. Agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor kanë si mision të tyre të bëhen faktorë kryesorë në zhvillimin e sektorit bujqësor konkurrues dhe të qëndrueshëm në vend, duke punuar në partneritet afatgjatë me përfituesit”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave organizoi në katër rajone dhe Agjencinë e Shërbimit Blegtoral, duke shkrirë drejtoritë e shërbimit veterinar. “Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e agjencive rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve (ARSHVMB), si persona juridikë publikë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, me seli në Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Elbasan. Agjencitë rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve financohen nga buxheti i shtetit, i miratuar për ministrinë përgjegjëse”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat