Teatri i ri Kombëtar, Ndrenika: Kjo që pashë ishte një xhungël urbane

Shqipëria

Teatri i ri Kombëtar, Ndrenika: Kjo që pashë ishte një xhungël urbane

Më: 13 mars 2018 Në ora: 09:33
Ilustrim

Debati për Teatrin Kombëtar ndoshta nuk do të kishte marrë përmasat që mori, nëse Robert Ndrenika nuk do të kishte folur në mbledhjen e parë, të 8 shkurtit në Black Box.

Ai fjalim i aktorit të madh u shpërnda nëpër rrjetet sociale dhe çështja e godinës së Teatrit Kombëtar u bë temë dite. Vetëm pak ditë më vonë u mësua se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kishte ftuar disa artistë (veç e veç) për t’i prezantuar me projektin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Një ndër ta ishte edhe aktori Robert Ndrenika, që përmes një postimi në “Facebook”, njoftoi se e kishte takuar Veliajn, e kishte parë projektin dhe e kishte pëlqyer, por po ashtu i kishte kërkuar kryebashkiakut ta konsultonte më parë me artistët.

Kjo duket se i stepi artistët dhe vlaga e madhe e kundërshtive për prishjen e godinës së vjetër, ra. Kjo protestë u shty në mënyrë të sforcuar plot një muaj. Dhe dje, Kryeministri Edi Rama i vë pikën çështjen: Godina e Teatrit Kombëtar do të prishet. Dhe ndërtesa e re do të ndërtohet falë partneritetit publik-privat.

I vetmi nga të pranishmit që u ngrit kundër këtij propozimi, ishte Robert Ndrenika. Sipas tij, shteti shqiptar është i aftë të ngrejë një godinë teatri me forcat e veta. Të tjerë të pranishëm shprehnin pakënaqësitë ndër dhëmbë, por askush nuk foli, veç Ndrenika.

Robert  Ndrenika 

Do t’i them nja dy fjalë, por do kisha dashur të ishte këtu edhe Kryeministri, por ai iku se ka punë të tjera. Faleminderit për këtë ftesë që na bëri. Unë jam i distancuar për arsye shëndetësore, por kisha dëgjuar nga shumë kolegë të mi aktorë, që më thoshin se Kryeministri nuk e do, e urren teatrin, nuk i do aktorët, seç ka një alergji ndaj tyre.

Por, me këtë të sotmen, unë e pashë se ai e do teatrin. Por, kjo që pashë më së tepërmi m’u duk, si një kartolinë, për këtë mund të flasin arkitektët, por unë për vete do të doja që të shihja edhe maketin, që të dija se si është skena dhe se si janë xhepat anash, që na duhen ne si aktorë. Ndërsa, puna e restoranteve këtu është tjetër gjë.

Por mua më shqetëson shumë partneriteti me privatin, sepse unë jam i bindur që shteti shqiptar nuk e ka problem që të bëjë një Teatër Kombëtar dhe këtë nuk ma heq njeri nga mendja. Shembull kam Maqedoninë fqinjë, e cila nuk po e respekton marrëveshjen e Ohrit, por për shqiptarët po bën një teatër shumë të mirë.

Po e bën vet pa partneritet privat, prandaj do t’i lutesha shumë Kryeministrit, edhe zonjës ministre të Kulturës, që të heqin dorë nga partneriteti me privatin edhe të gjejnë fonde. Pesë milionë i kanë nga greku, le të marrin edhe 25 mijë lekë borxh edhe t’i lajnë me afate. Kjo që pashë këtu ishte një dyndje, një xhungël urbane.

Ajo del e bukur, se unë thashë: Kartolinë! Por, do të shihni se çfarë do të bëhet atje! Pra, unë jam i mendimit, që, ndoshta, edhe të shtyhet kjo edhe ca kohë, por ama shteti të bëjë Teatrin Kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat