Raporti konfidencial, degët e PD: Kritikët e Bashës sabotuan fushatën

Shqipëria

Raporti konfidencial, degët e PD: Kritikët e Bashës sabotuan fushatën

Më: 11 mars 2018 Në ora: 12:33
Basha dhe Patozi

Baza e PD-së i është ankuar kreut Lulzim Basha se kritikët e tij kanë sabotuar indirekt fushatën elektorale të 25 qershorit të vitit të kaluar, gjë që sipas saj, thelloi humbjen në zonat ku ata ishin më parë të zgjedhur të PD-së.

Aktivistët e PD-së kanë përmendur emra konkretë përmes raporteve konfidenciale të hartuara pas mbylljes së procesit të analizës në mbarë vendin. Në Partinë Demokratike qëndrojnë të depozituara raportet e 53 degëve, që përmbledhin një analizë të hollësishme të shkaqeve që çuan në humbjen e thellë të zgjedhje të 25 qershorit. Krahas raportit të analizës, ka edhe një raport konfidencial për çdo degë të hartuar nga të deleguarit e kryetarit Lulzim Basha, në çdo qark.

Analiza konstaton se pothuajse në 90 për qind të degëve në zonat rurale, rezultati i dobët është ndikuar nga blerja e votës me para të pista, apo përdorimi i administratës, si për shembull presioni për ndërprerjen e ndihmës eko-nomike dhe mënyra të tjera. Por, më afër zonave urbane rezultati i dobët i Partisë Demokratike është ndikuar nga faktorë të tjerë përfshirë ato të brendshmit. Pikërisht në këtë pikë janë përmendur emra konkretë të njerëzve që punuan kundër fitores së PD-së në zgjedhje, duke cituar kon-kretisht emrat e kundërshtarëve të Bashës në parti.

Burime për “Gazeta Shqiptare” konfirmojnë se bëhet fjalë kryesisht për zonat e qarkut të Shkodrës, të Vlorës, të Korçës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Dibrës etj. Lista e kandidatëve të 25 qershorit që mban firmën ekskluzive të Lulzim Bashës, rezulton të ketë sjellë një problem të madh, duke shkaktuar jo vetëm pakënaqësi tek votuesit, por edhe thellimin e problemeve në organizmin dhe funksionimin e strukturave. Me një rol jo të vogël në rezultat, analiza nxjerr edhe në marrëveshjen e 18 majit mes Bashës dhe Ramës, që solli mbylljen e çadrës së protestës dhe futjen e PD-së në zgjedhje. Koha e gjatë prej tre muajsh në çadër vonoi fillimin e fushatës së PD-së, ku baza e PD-së e pati të vështirë të përgatitej në kohë për 25 qershorin.

Ky fakt u përmend edhe nga vetë kreu Basha gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë së PD-së mbrëmjen e së enjtes, teksa u diskutua edhe analiza e humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit. Kryesia e PD-së vendosi në mbledhjen e 8 marsit që të thërrasë me 28 dhe 29 prill mbajtjen e Kuvendit Kombëtar për të shqyrtuar ndryshimet statutore.

Gjithashtu, u vendos unanimisht se brenda datës 22 mars, një grup i posaçëm pune të mbledhë të gjitha propozimet për ndryshimet statuore dhe më pas të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kreu Lulzim Basha njoftoi ngritjen e një grupi pune për propozimet për ndryshimin e statutit, që do të paraqiteshin në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Por, grupi anti-Basha në PD kërkon mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD për të bërë edhe njëherë analizën e humbjes së 25 qershorit, si dhe diskutimin e propozimit për ndryshime statutore.

Raporti konfidencial, arsyet e humbjes së zgjedhjeve

Analiza e 53 degëve konstaton se pothuajse në 90 për qind të degëve në zonat rurale, rezultati i dobët është ndikuar nga blerja e votës me para të pista apo përdorimi i administratës si për shembull presioni për ndërprerjen e ndihmës ekonomike dhe mënyra të tjera.
Më afër zonave urbane rezultati i dobët i Partisë Demokratike është ndikuar nga faktorë të tjerë, përfshirë ato të brendshmit.
Disa nga ish-deputetët në zonat e tyre të mëparshme ku ishin zgjedhur deputetë sabotuan indirekt fushatën elektorale, duke u thënë demokratëve që mos të votojnë. Kjo u vu re kryesisht në qarkun e Shkodrës dhe të Vlorës, por edhe në qarqet e tjera të vendit.
Lista e kandidatëve të 25 qershorit që mban firmën e Lulzim Bashës rezulton të ketë sjellë një problem të madh, duke shkaktuar jo vetëm pakënaqësi tek votuesit, por edhe thellimin e problemeve në organizmin dhe funksionimin e strukturave.
Me një rol jo të vogël në rezultat, analiza nxjerr edhe marrëveshjen e 18 majit mes Bashës dhe Ramës, që solli mbylljen e çadrës së protestës dhe futjen e Partisë Demokratike në zgjedhje.
Qëndrimi i gjatë në çadër i gjeti strukturat e partisë të papërgatitura për të hyrë në zgjedhje, ndaj vonesat ndikuan në rezultatin e dobët të 25 qershorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat