Mashtrimi i ndërtuesve, shesin disa herë një apartament

Shqipëria

Mashtrimi i ndërtuesve, shesin disa herë një apartament

Më: 11 mars 2018 Në ora: 07:58
Aida Spahiu

Klodian Kapiti është një qytetar që nuk po e gjen dot të drejtën e tij. Familja e tij jeton ende me qera, ndonëse ka blerë me parapagim që në vitin 2011 një apartament në një nga pallatet e ndërtuara vitet e fundit në lagjen 5 të qytetit të Durrësit.

“Familja ime përbëhet nga 4 veta dhe sot jam i pastrehë. Hyrja ime është shitur 3 herë dhe të gjitha hyrjet e këtij pallati kanë të njëjtën histori. Edhe taraca e pallatit është shitur si hyrje. E kam lidhur kontratën në vitin 2011 te notere Aida Spahiu dhe noteri është garant ligjor që të siguron se ky akt nuk do të ketë cenim të ligjshmërisë. Jam përballë dhe me noteren… Unë kam fituar në dy shkallë të gjyqësorit, po vendimi nuk po ekzekutohet. Vendimet nuk po ekzekutohen dot. Kemi katër vjet që bredhim në dyert e gjyqësorit dhe të përmbaruesve publikë e privat”, thotë Klodian Kapiti, blerës.

Ndonëse pallati nuk ka përfunduar ende, shumë familje të përballura me blerës të tjerë kanë nxituar të hyjnë dhe të jetojnë aty.

Në tregun e ndërtimeve, qytetarët që duan të blejnë një apartament janë të pambrojtur nga skema të tilla mashtrimi. E ndërsa qytetarët shohin te noterët garantët ligjorë për kontratat që lidhin me ndërtuesit, ata deklarojnë se praktikisht e kanë të pamundur ta mbrojnë qytetarin nga mashtrime të këtij lloji.

Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk e ofron një informacion paraprak mbi gjendjen e objektit në ndërtim e sipër. Noterja Aida Spahiu, qe u be e njohur dhe per kontraten e ish-hotel Vollges me bleres Shullazin ne Durres, ku qytetari ka lidhur kontratën e shitblerjes, sqaron problemet që ka ky treg në çastin e lidhjes së kontratave.

“Noteri ligjërisht verifikon që ky apartament është shitur apo jo kur është bërë rregjistrimi i ndërtimit dhe ka një certifikatë pronësie. Po praktikisht nuk mund të verifikojë kur ky objekt është në ndërtim e sipër mbi bazën e lejes së ndërtimit dhe pse ligji kërkon regjistrimin provizor. Në ZRPP Durrës nuk ka ende asnjë rregjistrim provizor që noteri të marrë informacion me kartelë provizore të ndërtimit që po realizon ndërtuesi. Se është shitur apartamenti 1-2 herë apo është i pashitur, noteri në ndërtimet fillestare të parregjistruara nuk mund ta verifikojë. Kontratat janë tërhequr nga prokuroria, po nuk jam thirrur pasi dokumentacionet e kontratat flasin qartë”, thotë noterja Aida Spahiu.

Në këtë treg kaotik, Kapiti dhe të tjerë si ai kërkojnë ekzekutimin e vendimit të gjykatës ose kthimin e parave që të blejnë një apartament të ri e strehojnë familjet. Ndërtuesi Kujtim Kllogjeri i akuzuar e dënuar për mashtrim në fushën e ndërtimeve, njihet dhe për mashtrimin e disa dhjetëra qytetarëve për punësim në Kazakistan, kundrejt pagesës 350 euro për person.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat