PD: Rama të japë llogari pse është takuar me Saimir Tahirin në mënyrë të fshehtë

Shqipëria

PD: Rama të japë llogari pse është takuar me Saimir Tahirin në mënyrë të fshehtë

Më: 10 mars 2018 Në ora: 14:24
Dhurata Çupi

Partia Demokratike e akuzon kryeministrin Edi Rama për lidhje direkte me 613 kg kokainë që hynë dhe u konfiskuan nga Policia në Shqipëri. PD-ja e konsideron kapjen e kësaj sasie droge si një dështim të klaneve pranë kryeministrit dhe arsyen e vërtetë pse Rama përfundoi në spital pas kapjes së së një sasie droge me vlerë aq të madhe.

Deputetja e PD, Dhurata Çupi, ngriti pyetjen para medias se cila qe arsyeja që kryeministri u takua fshehurazi me Saimir Tahirin, ish-ministrin e tij të Brendshëm, në një nga spitalet privatë të Tiranës.

Ja deklarata e plotë:

Edi Rama duhet t’u tregojë sa më shpejt shqiptarëve përse e ka takuar dje në mëngjes Saimir Tahirin në një nga spitalet private të Tiranës.

Edi Rama duhet të tregojë se për çfarë kanë biseduar për më shumë se 1 orë me ish Ministrin e tij të Brendshëm, i akuzuar për trafik droge.

Edi Rama duhet të flasë edhe nëse vëllai i tij fshihet pas kokainës kolumbiane dhe jo t’u shesë shqiptarëve 613 kilogramë kokaine për sapun.

Ka një arsye pse Edi Ramën e ka pushtuar një heshtje varri për kokainën, madje as nuk mburret më për kapjen e saj.

Arsyeja është se kokat e vërteta të kokainës janë pranë tij, në majat e politikës dhe në gjirin e familjes. Arsyeja është se garancia që ai dhe njerëzit e tij u dhanë kriminelëve të Klanit të Gjirit të Kolumbisë dështoi, sepse ia dogjën partnerët ndërkombëtare.

Ndaj Edi Rama sot ndjehet nën presion nga të gjitha anët, çfarë i ka shkatuar një gjendje të rënduar psiqike, për të cilën ai ka tre ditë që viziton spitalin.

Edi Rama gjendet mes dy zjarresh. Nga njëra anë ka presionin e trafikantëve, të cilëve u ka shkaktuar një dëm të madh dhe janë të rrezikuar. Nga ana tjetër, është nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë. Edi Ramës i është bërë e qartë nga disa qeveri europiane se po nuk u kapën kokat e kokainës, nuk ka Shqipëri në Europë!

Edi Ramës i është bërë e qartë se, nëse Saimir Tahirit nuk i hiqet mbrojtja politike, nuk ka Shqipëri në Europë! Por Edi Rama nuk e dorëzon dot as Saimir Tahirin, as Olsi Ramën as Agron Xhafajn, se pastaj do t’i duhet të dorëzohet vetë. 

Këtë fakt nuk mund ta fshehë as Edi Rama, as matrioshkat e tij, që me përralla me rubla ruse, përpiqen më kot të fshehin të vërtetat kriminale të kryeministrit të vendit. "

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat