Ruçi: Reforma në drejtësi po jep efektet e para

Shqipëria

Ruçi: Reforma në drejtësi po jep efektet e para

Më: 10 mars 2018 Në ora: 12:08
Gramoz Ruçi

Reforma në drejtësi ka filluar të ketë arritjet e saj, duke nisur me miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese, ngritjen e organeve të Vettingut dhe nisjen e tyre nga puna.

Kështu deklaroi të shtunën, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mirëpriti në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë një grup studentësh nga Universiteti “Haxhi Zeka” i Pejës, përfaqësues të Unionit Studentor me të njëjtin emër.

Në këtë komunikim me studentët, kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përmbledhur i njohu studentët me funksionet kryesore të Kuvendit, atë ligjvënës, kontrollues, zgjedhës dhe përfaqësues dhe me rregullat dhe procedurat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vijim, mes kryetarit të Kuvendit dhe studentëve u zhvillua një bashkëbisedim i hapur, gjatë së cilit Ruçi iu përgjigj interesimit të vizitorëve. Një ndër çështjet ku studentët drejtuan pyetje ishte dhe zbatimi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, për të cilën Kryetari i Kuvendit u shpreh se “ka qenë një përpjekje më shumë se dyvjeçare dhe reforma më e madhe, më e plotë, më e rëndësishme për dhënien zgjidhje të problemeve me drejtësinë në vend”.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje tre efekte kryesore të këtij procesi. “Efekti i parë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë nisur të pyesin veten, janë apo s’janë për prokurorë. Efekti i dytë, 17 gjyqtarë dhe prokurorë deri më sot kanë deklaruar që refuzojnë t’i nënshtrohen vetingut. Kjo është me sanksion: nuk kalojnë në Vetting, por për 15 vjet nuk kanë të drejtë të punojnë në organet e drejtësisë. Ka pasur kërkesa të tilla, që nga ish-prokurori i Përgjithshëm, anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. E treta, është që organet e veting-ut po punojnë dhe ne presim rezultate pas përfundimit të këtij procesi, që do të zhvillojnë për gjithë trupën e gjyqësorit dhe prokurorisë”, tha ai.

Biseda mes të rinjve dhe Kryetarit të Kuvendit vijoi me çështje që i takojnë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rrugës së tyre integruese drejt Bashkimit Europian.

Kryetari i Kuvendit u shpreh besimplotë për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët integruese dhe vuri në dukje se roli konstruktiv dhe stabilizues i shqiptarëve në rajon do të jetë nxitës për bashkëpunimin rajonal në mbështetje të këtij procesi për të ardhmen jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e ndihmës ekonomike në Shqipëri. Duke iu përgjigjur pyetjes së studentëve, Ruçi tha se ditën e enjte, datë 15 mars do të zhvillohet një mocion me debat për këtë çështje. Krahas kësaj, Ruçi shtoi se Kuvendi po shqyrton projektligjin “Për strehimin”, ku sipas tij, kjo nismë i shërben kategorive të njerëzve në nevojë.

Në përmbyllje të veprimtarisë, kryetari i Kuvendit dhuroi për Univeristetin e Pejës disa botime të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me veprimtarinë dhe historikun e tij.

Në përfundim, Shërbimet e Kuvendit prezantuan për herë të parë tek studentët nga Universiteti “Hazhi Zeka”, në Pejë dy spote informuese mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë, të realizuara me mbështetjen e OSBE-së në Tiranë, në kuadër të forcimit të transparencës parlamentare përmes rritjes së aksesit të publikut ndaj informacionit dhe dokumentacionit parlamentar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat