Fondi i Qeverisë/ Kompensimi fizik, sa tokë marrin pronarët

Shqipëria

Fondi i Qeverisë/ Kompensimi fizik, sa tokë marrin pronarët

Më: 7 mars 2018 Në ora: 16:46
Agjencia e Trajtimit të Pronave

Fondi që Agjencia e Trajtimit të Pronave ka në dispozicion për kompensimin e pronarëve nuk është gjë tjetër veçse një bashkësi ngastrash të vogla toke, që në pjesën dërrmuese nuk i tejkalojnë 1 hektar.

Sipas një studimi të kryer nga Petër Saraçi, anëtar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, njëherëzi pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Shkodrës, rreth 77 për qind e fondit fizik që Agjencia e Trajtimit të Pronave ka në posedim është nën 1 hektar.

Ky parcelizim mund të përbëjë një problem më vete, po aq sa rezervat e shfaqura për faktin që është tokë bujqësore dhe shpërndarja e saj nuk është në të gjithë vendin, por vetëm në katër qarqe që janë Korça, Gjirokastra, Berati dhe Elbasani.

“Pjesa kryesore e fondit fizik është nën 1 hektar (rreth 77.6%) gjë që sjell një parcelizim të tokës bujqë- sore. Kjo është një e dhënë problematike për përfituesit e këtyre tokave bujqësore, pasi do të përballen me vështirësi aksesimi apo përdorimi. Po ashtu ekziston risku që në të ardhmen vlera e tregut mund të jetë shumë herë më e ulët se vlera e përcaktuar me hartën e vlerës”, pohon Saraçi.

Në kushtet që Qeveria i ka dhënë përparë- si skemës së kompensimit fizik, kostoja për pronarët duket të jetë më e lartë sesa përfitimi. Në çdo rast, ata do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen skemës për t’u kompensuar financiarisht vetëm për 20% të faturës ndërsa për pjesën e mbetur do të mbulohen nga fondi fizik. Kjo do të thotë që kompensimi i tyre do të bëhet me parcela, të cilat mund të jenë në zona të ndryshme kadastrale, duke e bërë të vështirë shfrytëzimin e tyre.

Nuk do të ishte në dobinë e asnjë pronari që e ka pasur pronën në Tiranë apo në bregdet që të marrë mbrapsht sipërfaqe toke që mund të jenë në fshatra të ndryshme të Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit apo Korçës. “Konkretisht, nëse kanë pasur pronë brenda qyteteve, tani do të bëhen pronarë të pronave të paluajtshme të cilat ndodhen në zona jo të pëlqyera dhe të vështira për t’u shitur në treg”, shton Saraçi.

Vlera e pronës

Përveçse është i parcelizuar, fondi që ATP disponon, ka një vlerë të ulët në treg. Kjo e bën atë jo vetëm të pamjaftueshëm për t’ju përgjigjur nevojës për tokë që vjen nga rishikimi skemës. “Vlera e deklaruar nga Hipoteka dhe ATP e këtij fondi është €273,373,586 dhe sipërfaqja totale është 23,369 hektarë. Çmimi mesatar i kë- tyre tokave është 1.2/euro m2.

Nga kjo e dhënë kuptohet se çmimi mesatar i këtyre pronave rrjedh nga tipologjia e pronës pjesë e fondit fizik (tokë bujqësore)”, veçon në studimin e tij Saraçi, ekspert për çështjet e pronësisë.

Skema e re

Me ndryshimet e miratuara në fund të vitit që shkoi, familjet që kanë vendime përfundimtare kompensimi, të vlerësuara financiarisht dhe publikuara nga ATP, në rast se nuk përfitojnë kompensim fizik në ish -pronën e tyre do të përfitojnë kompensim financiar deri në 20% të faturës, por jo më shumë se 10 milionë lekë dhe për pjesën e mbetur do të kompensohen fizikisht nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së. Gjithsej janë 23 mijë hektarë tokë bujqësore, 50 mijë hektarë sipërfaqe pyjore dhe 170 objekte shtetërore, të cilat do të përdoren për këtë qëllim.

“Në të gjitha rastet kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik sipas shkronjës “a”, të pikës 16/2, dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20 % të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 milionë lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës”, thuhet në vendim.

Një praktikë e tillë, sipas Saraçit, bie ndesh me praktikat më të mira të vendeve që janë përballur me të njëjtin fenomen. “Shteti shqiptar sipas kësaj pike vendos të moskthejë tokën edhe kur ajo është e zënë nga individë të tretë, ose përdoret për qëllime jo të mirëfillta të interesit publik.

Në këtë mënyrë pranon të rëndojë financiarisht buxhetin e shtetit duke i akorduar tokën këtyre individëve thjesht nëpërmjet uzurpimit të pronës. Një veprim i tillë është qartazi në kundërshtim me praktikat më të mira të vendeve të tjera që kanë pasur të njëjtat probleme, të cilat kanë minimizuar koston financiare duke kthyer pronën pronarëve (në rast të kundërt do të dëmpërshblehej me vlerë tregu) dhe kanë trajtuar kërkesat e individëve të cilët gëzojnë këto prona (në këtë rast do të kishim një vlerë më të vogël sesa vlera e tregut)”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat