Përmbytet Fushë Kruja, situatë e rëndë edhe në Shkodër

Shqipëria

Përmbytet Fushë Kruja, situatë e rëndë edhe në Shkodër

Më: 7 mars 2018 Në ora: 08:26
Ilustrim

Moti i keq, i shoqëruar edhe me reshje të shumta shiu, ka sjellë si pasojë përmbytje për herë të tretë në Fushë Krujë, ndërsa përmbytje ka dhe në zonën e Shkodrës.

Kështu, dalja nga shtrati lumi Ishëm në Fushë Krujë për shkak të reshjeve intensive të shiut gjatë ditës së djeshme ka sjellë përmbytje të shumta.

Në fshatrat Murqinë dhe Mallkuç janë përmbytur më shumë se 50 hektarë tokë bujqësore.

Disa banesa në Murqinë ndodhen të rrethuara nga uji.

Kjo shënon përmbytjen e tretë brenda 4 muajve për fshatin Murqinë dhe disa zonë në Fushë Krujë.

Përmbytje ka pasur edhe në Shkodër. Mësohet se në njësinë administrative Dajç, niveli i ujit ka shkuar 20 cm si dhe rrugët dytësore në fshatin Obot janë tashmë të bllokuara.

Ndërkohë që më herët, pas kërkesës së Kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, për të shpallur gjendjen e emergjencës në zonën e Anës së Malit, ku janë përmbytur 900 ha tokë bujqësore, prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja ka mbledhur në orët e darkës Shtabin e Emergjencave .

Sipas prefektit, për momentin nuk ka një situatë për të shpallur emergjencë civile, pasi gjendja është nën kontroll.

“Aktualisht shkarkimet e kontrolluara në total, me gjithë 5 agregatet në punë nga Vau Dejës, janë 1300 m3/sek dhe situata është e menaxhueshme. Situata është duke u monitoruar dhe gjykojmë e shpresojmë se do të ruhet kjo gjendje, duke mos pasur përkeqësim të situatës,” – mësohet të jetë shprehur prefekti Millja mbrëmjen e djeshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat