Buxheti 2017, u paguan 12 kompani ndërtimi, ja kush mori 45% të shumës

Shqipëria

Buxheti 2017, u paguan 12 kompani ndërtimi, ja kush mori 45% të shumës

Më: 1 mars 2018 Në ora: 09:35
Foto ilustrim

Dymbëdhjetë kompanitë kryesore të ndërtimit në vendin tonë morën 7.5 miliardë lekë (58 milionë euro) pagesa nga buxheti i shtetit për kontrata e punimeve kryesisht në rrugë dhe në objekte publike me 2017, sipas të dhënave nga Thesari i Ministrisë së Financave.

Rreth 45 për qind të fondeve janë marrë vetëm nga dy kompani, Salillari dhe Fusha, të cilat përfituan së bashku 3.5 miliardë lekë.

E treta në radhë për nivelin e pagesave buxhetore ishte kompania greke, Aktor që po zhvillon punimet në rrugën e re të Elbasanit. Kompania ka marrë mbi 1 miliardë lekë pagesa ose me shumë se 8 milionë euro, të cilat janë dhënë si shtesë kontratë për riparimin e shembjes që ndodhi gjatë vitit 2015 në zonën e Ibës.

Përfituese të mëdha kanë qenë edhe kompanitë Gjoka Kontruksion, Alba Construksion dhe Geci me përkatësisht (868), (547) dhe (424) milionë lekë.

Sipas të dhënave nga thesari të Ministrisë së Financave, shumat më të mëdha janë disbursuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për kontrata punimesh mirëmbajtjeje. Gjithashtu

Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës ishin financues të mëdhenj.

Vitin e kaluar konsorciumi Biolap-Geci ka fituar edhe kontratën B që përfshin mirëmbajtjen me performancë të rrugëve në rajonin e Shqipërisë së Mesme që përfshin Qarkun e Tiranës dhe atë të Dibrës, kundrejt vlerës 19.2 milionë euro për një periudhë 5-vjeçare.

Ndërsa kompania Salillari, e cila është në konsorcium me një kompani greke, Elika ATEE, ka fituar garën për mirëmbajtjen e rrugëve në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës për pesë vitet në vijim kundrejt shumës 16.5 milionë euro.

Pas vitit 2005, kur biznesi vendas fitoi të drejtën për të marrë pjesë në tenderët publike për ndërtimin e autostradave, biznesi i kompanive të ndërtimit të rrugëve u rrit ndjeshëm. Kompanitë që më parë kishin ndërtuar vepra të vogla të infrastrukturës tani janë bizneset e mëdha që xhirojnë miliona dollarë fitime në vit duke u renditur në 100 sipërmarrjet më të mëdha në vend.

Kompanitë shqiptare më së shumti përfitojnë nga fondet e brendshme, pasi financimet e huaja zakonisht aplikohen me kontraktorë të huaj dhe përgjithësisht kanë procedura shumë më të vështira disbursimi në krahasim me ato që akordon qeveria shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat