A gënjeu Majlinda Bregu? Dokumenti zbulon se Edi Rama po lobon për postin e saj

Shqipëria

A gënjeu Majlinda Bregu? Dokumenti zbulon se Edi Rama po lobon për postin e saj

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 14:05
Majlinda Bregu

Qeveria shqiptare po lobon zyrtarisht, në mënyrë institucionale, që Majlinda Bregu, të zgjidhet në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të KBR-së (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, entitet i BE-së).

Një dokument parlamentar i siguruar nga Hashtag.al, zbulon se shërbimi diplomatik shqiptar po lobon pranë qeverive të vendeve anëtare të BE-së që të jetë Majlinda Bregu e zgjedhura për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të KBR-së.

Një dosje e dorëzuar ditët e fundit në Kuvend zbulon se kërkesa e qeverisë shqiptare i është bërë një delegacioni të qeverisë çeke.

Shkruhet ndër të tjera në dokument:

Shqipëria do të vlerësonte shumë mbështetjen e çmuar të Republikës Çeke në favor tëkandidaturës së Znj. Majlinda Bregu, për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, për periudhën prej 1 janarit 2019 deri më 31 dhjetor 2021, duke kontribuar gjithashtu bilancin rajonal të përfaqësimit të vendeve anëtare.
Gjatë takimit që pati Ambasadori Poda me Zv. ministrin e Jashtëm Durr, ky i fundit u angazhua të përfshihej personalisht në mbështetjen e kandidaturës së znj. Bregu.

Ky dokument i jep fund çdo dileme nëse ishte Edi Rama dhe qeveria shqiptare faktori që po mbështeste Majlinda Bregun për postin e ri, pasi rezulton se emri i saj është lobuar në mënyrë zyrtare, institucionale.

Por nga ana tjetër, ky dokument nxjerr në shesh dhe justifikimet e zonjës Bregu e cila ka mohuar lobimin e qeverisë shqiptare në favor të saj.

Në një status në faqen e saj në Facebook të datës 31 Janar zonja Bregu mohoi kategorikisht çdo mbështetje nga qeveria shqiptare, ndonëse qëndrimi i saj ngjalli dyshime. Propozimin për postin që ajo synon e bën qeveria, pasi nuk bëhet fjalë për ndonjë konkurs për folëse lajmesh në televizion.

Zonja Bregu ka mbajtur një qëndrim diversiv ndaj PD-së në tre vitet e fundit dhe shpesh është shfaqur në mbështetje të nismave të kryeministrit Edi Rama. Sidomos sa i përket reformës në drejtësi.

Zonja Bregu ka qenë e afërt dhe me dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin, madje zonja Vlahutin i ka siguruar së fundmi zonjës Bregu dhe një takim me komisionerin e BE-së Johannes Hann, takim të cilin zonja Bregu do e zhvillojë paraditen e nesërme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat