Si e bindi shoferi partneren të thoshte se e shtypi ajo vjehrrin dhe nusen në Golem

Shqipëria

Si e bindi shoferi partneren të thoshte se e shtypi ajo vjehrrin dhe nusen në Golem

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 09:22
ilustrim

Pas ngjarjes së rëndë ndodhur në autostradë, Policia e Kavajës ndaloi fillimisht një 30- vjeçare, konkretisht shtetasen Ilda Parroj.

Ajo u dyshua se kishte qenë në timon në momentin që mjeti tip “Toyota Corolla” humbi kontrollin dhe përplasi anëtarët e familjes Fisku që prisnin mjete të rastit, anës rrugës. 30-vjeçarja mori përsipër autorësinë e ngjarjes, teksa theksoi se partneri i saj, shtetasi Halil Koka, 40 vjeç, kishte qenë pasagjer.

Ngjarja mori rrjedhë tjetër kur ekspertët, që nisën hetimin, kishin marrë edhe dëshmitë e disa dëshmitarëve në vendin e ngjarjes. Këta të fundit i pohuan grupit të hetimit se kishin parë mjetin me shpejtësi skëterrë e më pas nga vendi i shoferit kishte dalë një djalë.

Pas konfuzioneve nga Parroj, e cila mori përgjegjësinë e aksidentit se ishte ajo në timon dhe dëshmisë së qytetarit, Policia i mori në pyetje veçmas Kokën dhe Parrojn në Policinë e Kavajës. Ndodhur para fakteve e dëshmive të dhëna, në dhomat e ndara të Policisë, 30-vjeçarja ka pranuar se kishte mashtruar në dëshminë e dhënë në fillim për ngjarjen.

E reja ka pohuar se ka qenë shoqëruesi i saj, Halil Koka, ai që i ka kërkuar asaj, që të merrte përgjegjësinë e aksidentit, duke i premtuar se do të paguante dhe se ajo nuk do të bënte burg.

Pas kësaj dëshmie të Ilda Parroj, Policia ka marrë në pyetje edhe të dyshuarin Halil Kokën, të cilin e ka vënë përballë dy dëshmive, të qytetarit dhe shoqërueses së tij. I gjendur para fakteve të pakundërshtueshme, 40- vjeçari durrsak është detyruar të pranonte të vërtetën, se ka qenë ai drejtues i mjetit dhe u arrestua si shkaktar i aksidentit. Ndërsa shoqëruesja e tij, Ilda Parroj, do të akuzohet për dëshmi të rreme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat