Investimi në nënstacionin e ri elektrik në Çorovodë, përfitues 12 mijë banorë

Shqipëria

Investimi në nënstacionin e ri elektrik në Çorovodë, përfitues 12 mijë banorë

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 16:34
Berat

Në sistemin elektroenergjetik, në rajonin e Beratit gjatë tre viteve të fundit janë investuar mbi 1 miliard lekë, përfshirë edhe nënstacionin e Çorovodës.

Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Dorina Çinari ishte në Çorovodë, ku pa nga afër nënstacionin e ri të ndërtuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Jemi këtu në Çorovodë, në nënstacionin e ri elektrik 110/35/10 kV i cili i shërben 12 mijë banorëve të këtij qyteti dhe njëkohësisht edhe gjithë prodhuesve të energjisë elektrike që do të lidhen përmes këtij nënstacioni. Është një investim i përbashkët që bëhet mes OSHEE-së, që ka ndërtuar nënstacionin dhe OST-së që ka ndërtuar linjën e transmetimit 110 kV, që bën të mundur lidhjen e prodhuesve privatë”, theksoi  Çinari.

Zv.ministrja nënvizoi se, nënstacioni është me parametra modernë, me një sistem automatik të menaxhimit të ngarkesës. Në vijim do të kemi investime të tjera, do të ndërtohet nënstacioni i ri i Kuçovës, do të kemi investime në linjën me tension të ulët dhe tension të mesëm, që do t’i shërbejnë rritjes së sigurisë së furnizimit.

Nënstacioni i ri ndodhet në pozicion të rëndësishëm gjeografik, një nyje strategjike për zhvillimin e tregut energjetik, rrit cilësinë e furnizimit me energji elektrike për qytetin dhe gjithë rajonin e Skraparit, nga 6 në 10 kV, ku përfitues janë rreth 12 mijë abonentë.

“Rëndësia e këtij nënstacioni është që të gjithë problematikat që ka patur kjo zonë përsa i përket cilësisë së furnizimit, nga ndërprerjet dhe limitimet që kishte linja e vjetër 35 kV nga Uzova në Poliçan e deri në Çorovodë, janë eleminuar. Nënstacioni vjen në ndihmë pasi mbulon të gjithë parametrat teknikë të cilësisë së furnizimit të konsumatorëve të zonës”, sqaroi kreu i divizionit të shpërndarjes në OSHEE Petraq Lika.

Bashkë me nënstacionin u ndërtua nga OST edhe linja 110 kV Uznovë-Çorovodë, me vlerë 450 milionë lekë, duke u krijuar akses për lidhje në rrjetin e sistemit elektroenergjetik prodhuesve të rinj të energjisë elektrike.

Përtej nënstacionit, OSHEE në këtë rajon ka investuar rreth 360 milionë lekë, duke përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike në Berat e Kuçovë. U mundësua rikonstruksioni i rrjetit elektrik TM dhe TU, rikonstruksion dhe ndërtim kabinash, ku është vlerësuar e nevojshme. Janë të programuara tashmë edhe 600 milion lekë investime të tjera, mes të cilave rikonstruksioni i nënstacionit të Kuçovës, por edhe rrjeti i tensionit të mesëm dhe të ulët në Berat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat