Ardi Veliu: Policia do të ristrukturohet, prioritet operacioni “Forca e Ligjit”

Shqipëria

Ardi Veliu: Policia do të ristrukturohet, prioritet operacioni “Forca e Ligjit”

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 14:17
Ardi Veliu

Në Policinë e Shtetit nuk do të ketë asnjë reformë, por vetëm ristrukturim për të përmirësuar punën e uniformave blu.

Kështu është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Nga Berati, pas analizës vjetore të Drejtorisë së Policisë Berat ku ishte i pranishëm dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Veliu tha për gazetarët se prioritet mbetet operacioni “Forca e Ligjit”.

Ardi Veliu: “Gjithashtu përveç problematikave dhe rezultateve të evidentuara në këtë analizë u këmbëngul dhe u theksuan edhe  prioritetet ku do të fokusohet puna e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat për vitin 2018, ku prioriteti kryesor do të jetë vazhdimi pa ndërprerje i operacionit “Forca e Ligjit” si dhe puna parandaluese që duhet të bëhet në drejtim të eleminimit të fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike pavarësisht numrit të ulët të sipërfaqes apo të rrënjëve të evidentuara gjatë vitit 2017. Në vitin 2018 gjithë puna  e Policisë së Drejtorisë Vendore Berat do të fokusohet që ky fenonem të mos ekzistojë më në këtë qark”.

Pyetje: Do të ketë reformë në Polici?

Ardi Veliu: “Jo, në Polici nuk do të ketë reforma. Në Polici do të ketë ristrukturim ose riformatim për ta bërë strukturën sa më efiçente dhe më fleksibël”.

Sa i përket punës së Policisë së Beratit, Veliu theksoi se ka pasur rezultate pozitive dhe asnjë ngjarje të rëndë kriminale.

Ardi Veliu: “Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka patur rezultate pozitive. Vlen për të theksuar që gjatë vitit 2017 në këtë territor nuk është evidentuar asnjë vepër e rëndë penale, pra shifra e ngjarjeve të rënda kriminale është zero. Ashtu si dhe dua të theksoj se numri i aksidenteve me pasoja të rënda, pra me pasoja fatale është jashtëzakonisht i ulët në krahasim me Drejtoritë e tjera Vendore të Policisë”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat