Kërkesa e Prokurorisë shqiptare: Nazerin ta pyesin italianët

Shqipëria

Kërkesa e Prokurorisë shqiptare: Nazerin ta pyesin italianët

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 16:25
Nazer Seiti

Prokuroria e Krimeve të Rënda i dërgon letërporosi autoriteteve italiane për të marrë në pyetje Nazer Seitin, i dyshuari si financieri i grupit të Habilajve në trafikun ndërkombëtar të kanabisit.

Edhe pse Seiti ka qëndruar më shumë se tre muaj i paraburgosur në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk arriti t’i merrte atij asnjë dëshmi për aktivitetin kriminal për të cilin dyshohet.

Burimet janë shprehur për Top Channel se grupi i hetimit kishte tentuar vetëm në një rast të pyesë Seitin në paraburgim në Tiranë, tentativë e cila ka dështuar pasi nuk ishte i pranishëm avokati i tij, por një avokat kryesisht.

Dhe pak javë pas ekstradimit të tij të papritur drejt Italisë, hetuesit shqiptare kërkojnë ndihmën e kolegëve italianë, dhe konkretisht prokurorëve të Katanias për të patur dëshminë e Seitit, që nuk arritën ta merrnin për më shumë se tre muaj në Shqipëri.

Ndërkohë hetimet e prokurorisë së Katanias për grupin e Habilajve, pritet të kenë zhvillime të reja, pasi ka të dhëna që një nga anëtarët e grupit, një shtetas italian që ka disa hyrje-dalje në Shqipëri nga Rinasi dhe Porti i Vlorës, mund të pendohet dhe të bashkëpunojë me autoritetet.

Ndërkohë hetimi në Shqipëri për këtë grup nuk ka asnjë zhvillim konkret, ndonëse në këtë hetim u përfshi edhe ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Megjithatë, prokuroria po heton për mënyrën se si Nazer Seiti u ekstradua në Itali, në një kohë që kishte një dosje të hapur për të në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat