PD: Gjykata e shkarkon për shpërdorim detyre, Edi Rama e emëron drejtor në INSTAT

Shqipëria

PD: Gjykata e shkarkon për shpërdorim detyre, Edi Rama e emëron drejtor në INSTAT

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 12:20
Ina Zhupa

Përmes një deklarate për shtyp zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u shpreh se emërimet e dyshimta të Edi Ramës në pika kyçe të administratës janë treguesi më i qartë se prapa fasadës dhe propagandës për “bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm” qëndron tepsia e pushtetit të korruptuar.

PD solli në vëmendje rastin e Erjon Manohasës, i cili deri para pak kohësh ishte Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, përfaqësues i PDIU-së, u shkarkua nga detyra me vendim gjykate “për shpërdorim detyre”.

 Dyshohej se firmosi një kontratë korruptive për një laborator hemodialize në Durrës, që nuk plotësonte asnjë kusht për këtë shërbim jetësor për të sëmurët.

“Sot, sërish si pjesë e tepsisë së pushtetit, drejtori i shkarkuar Erjon Manohasa është emëruar sërish drejtor. Ai do të jetë në krye të Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Institutin e Statistikave. Thënë ndryshe, të dhënat statistikore që Bashkimi Europian do të marrë nga Shqipëria janë në përgjegjësinë e të njëjtit drejtor që u hoqi të sëmurëve të drejtën e kurimit me hemodializë në spital, duke i detyruar ta bënin atë në një apartament që nuk plotësonte asnjë standard.

Rasti i Erion Manohasës si modeli i zyrtarit të shkarkuar nga gjykata për shpërdorim detyre me dyshime për korrupsion, nxjerr në dritë realitetin që fshihet nga propaganda qeveritare: se tepsia e pushtetit jo vetëm nuk është çuar për skrap, por ajo ka vend për këdo që i shërben pushtetit të korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës”, tha Zhupa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat