Edhe linja Tiranë-Rinas me autobusë elektrikë

Shqipëria

Edhe linja Tiranë-Rinas me autobusë elektrikë

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 12:50
Pamje nga ngjarja

Pas linjës së gjelbër, me autobusë elektrikë, e cila do të funksionojë shumë shpejt brenda qytetit, edhe linja Tiranë-Rinas për në aeroportin “Nënë Tereza”, do të jetë tërësisht me autobusë elektrikë.

Bashkia e Tiranës ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e aeroportit për të mundësuar një linjë transporti publik me autobusë të gjelbër, që mbrojnë mjedisin dhe rrisin cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Veliaj:  “Kemi filluar një diskutim me aeroportin e Tiranës, për të pasur një linjë autobusësh elektrikë nga qendra deri në Rinas, e për t’u siguruar që të ulim ndotjen në mjedis. Jemi duke folur edhe me kolegët kinezë; Kina sot është avangardë në prodhimin e autobusëve elektrikë dhe mezi pres që shumë shpejt, brenda këtij viti, për ata që do të udhëtojnë nga Tirana në Rinas të kenë mundësi ta bëjnë këtë duke shkaktuar zero ndotje".

Ndërkohë, përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës dy automjete të reja për heqjen e mbetjeve dhe pastrimin e qytetit, si dhe iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve.

Veliaj, i falenderoi ata për përgjegjësinë sociale që treguan, duke kontribuar për një qytet të pastër dhe më të gjelbër.

Veliaj: “Na kanë bërë një dhuratë shumë të çmuar, me vlerë monetare të konsiderueshme, sepse kemi dy kamionë teknologjikë që do të ndihmojnë ndërmarrjen tonë të pastrimit të rrisë cilësinë e pastrimit edhe lagjet periferike. Duke shtuar flotën tonë me dy mjete teknologjike, mund të rrisim mbulimin e sipërfaqes në zonat e reja që i janë shtuar Tiranës si “Fresku”, “Astiri”, “Kodra e Diellit” dhe zona të tjera  periferike me rritje të popullsisë dhe rritje të konsumit”.

Kryebashkiaku gjithashtu shprehu mirënjohjen që Aeroporti i Tiranës iu bashkua aksionit të mbjelljes së pemëve në Tiranë.

Veliaj: “Shumë faleminderit për 100 pemët. E vlerësoj jashtë mase që, edhe Aeroporti i Tiranës, i cili ndonëse nuk është fizikisht pjesë e territorit të bashkisë, por që punën më të madhe e ka me Bashkinë e Tiranës, është i pranishëm duke na dhuruar këto pemë për revolucionin e gjelbër që po ndodh në qytetin tonë”.

Drejtoresha e Komunikimit e Aeroportit Ndërkombëtarë “Nënë Tereza”, Arlinda Çausholli, tha se e vlerëson nismën e Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e qytetit.

Çausholli: "Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është shumë i lumtur që po kontribuon me dhurimin e dy kamionëve, që shpresoj do ndihmojnë në pastrimin e qytetit dhe gjithashtu në mbjelljen e 100 pemëve. Është minimumi që duhet të bëjë çdo biznes, por në të njëjtën kohë, edhe çdo qytetar, që të japë një kontribut sado të vogël për pastrimin e qytetit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat