6 vjet pa Feti Voglin, ministrja: NATO mburoja jonë përballë çdo barbarie

Shqipëria

6 vjet pa Feti Voglin, ministrja: NATO mburoja jonë përballë çdo barbarie

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 18:17
Olta Xhaçka

Në mjediset e batalionit të Forcave Speciale, u zhvillua sot ceremonia përkujtimore e 6 – vjetorit të kapiten Feti Voglit, i cili humbi jetën 6 vite më parë në Afganistan.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e saj u shpreh se vepra e të rënëve nuk harrohet, por ajo do të kujtohet e do të respektohet brez pas brezi dhe se do të vlerësohet edhe në të ardhmen për arritjen e objektivave.

 “Nga Afganistani në Irak, nga Çadi në Bosnje, nga Kosova në Mali, nga Adriatiku në Egje dhe kudo që na kërkohet, shembulli i Feti Voglit na mëson se detyra dhe përkushtimi për sigurinë e paqen, i bën ushtarakët tanë të marrin mbi vete rrezikun e sfidave të përditshme, veçanërisht në misione. Rënia në krye të detyrës e kapiten Feti Voglit, është dëshmi e faktit, se ju, jo vetëm keni zgjedhur një profesion të vështirë, por edhe se kurajo, përkushtimi, vetëmohimi,  dhe mbi të gjitha, profesionalizmi juaj, janë tiparet që përshkojnë integritetin tuaj si bij fisnikë të popullit, si shërbëtorë besnikë të atdheut. Është kjo arsyeja që shembulli i Kapiten Feti Voglit dhe ushtarakëve shqiptarë në misione, frymëzon brezat e rinj sot e kurdoherë”, deklaroi Ministrja.

Sipas Ministres Xhaçka, prania e Shqipërisë në Aleancën e NATO-s dhe përkushtimi ynë, sikundër e dëshmon edhe shembulli i Feti Voglit, janë pjesë e vlerave të patjetërsueshme që shoqëritë e vendeve partnere me ne, besojnë, mbrojnë dhe promovojnë.

“Ne si shqiptarë, këndej dhe andej kufirit, nuk harrojmë për asnjë moment, se NATO është mburoja më e besueshme përballë çdo agresioni dhe barbarie që shfaqet pranë dhe larg vendndodhjes sonë gjeografike. Çmimi sublim i Kapiten Feti Voglit na tregon se forcat që na kërcënojnë vlerat, parimet dhe mënyrën tonë të të jetuarit në një sistem demokratik dhe shoqëri të lirive dhe të drejtave të njeriut, janë akoma aty, duke e sfiduar çdo ditë mjedisin e sigurisë sonë kolektive”, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes gjatë ceremonisë ku merrni pjesë familjarë të Dëshmorit të Atdheut dhe kolegë të tij.

Kapiten Feti Vogli, humbi jetën 6 vite më parë në Afganistan, ku shërbeu si pjesë e kontigjentit paqeruajtës  “Eagle 4” të batalionit të Forcave Speciale. Ai është pjesëtari i parë i Forcave të Armatosura që  humb jetën në një mision jashtë vendit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat