Tjetërsimi i pronës në bashkëpunim me banorët e mirëbesuar, si u zbulua grupi i “grabitësve”

Shqipëria

Tjetërsimi i pronës në bashkëpunim me banorët e mirëbesuar, si u zbulua grupi i “grabitësve”

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 17:40
Pamje nga prona e tjetersuar- Spille Kavaje

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi doli ditën e sotme para medias për të njoftuar se në sajë të operacioni "Ranishtja 2", është bërë i mundur shkatërrimi i një grupi të mirëorganizuar që merreshin me tjetërsimin e pronave në zonën e Spilles në Kavajë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë e Kavajës, kanë arrestuar ditën e sotme 8 zyrtarë publik, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë.

Siç bëhet me dije të arrestuarit janë Asim Arkaxhiu, 44 vjeç, ish drejtori i ZVRPP, Aldo Kila, 27 vjeç, me detyrë Jurist në Z.V.R.P.P, Kavajë, Shpendi Dema, 31 vjeç, Jurist në Bashkinë Rrogozhinë, Arben Daja, 51 vjeç, me detyrë Sekretar dhe Protokollist në Bashkinë Rrogozhin.

Ndërsa, gjykata e Kavajës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për Julian Zhelegu, 44 vjeç, Noter pranë dhomës së Noterisë Tiranë, si dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për Beqir Nuredini, Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë.

Nga hetimet e bërë nga prokuroria dhe policia ka rezultuar se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshim e zërit kadastral për një siperfaqe prej 11.000 m2 tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë dhe në fshatrat përreth, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frut” në tokë “Are” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundërligjshme të kësaj sipërfaqeje toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.

Gjatë hetimeve paraprake, policia sqaron se është dokumentuar bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Bashkisë Rrogozhinë, të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve tê ZVRPP Kavajë.

Mësohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë krijuar në mënyre fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2015-2017 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore, e cila ishte tokë shtetërore pa fryt në vijën bregdetare, duke e tjetërsuar në tokë are, duke e ndarë në interes të tyre dhe personave të tretë.

Përpara se të përpilonin certifikatat e pronësisë, fillimisht zyrtarët e proceduar identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën.

Me pas identifikohej blerësi dhe pas këtyre veprimeve bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte, në shumicën e rasteve, bëheshin pa u vënë në dijeni  banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentet e pronësisë.

Policia e Shtetit ka bërë me dije se vazhdon puna për identifikimin zyrtarëve e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet Kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat