Meta me zv.ministrin italian: Shqipëria portë hyrëse për investimet tuaja

Shqipëria

Meta me zv.ministrin italian: Shqipëria portë hyrëse për investimet tuaja

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 10:43
Ilustrim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti Zëvendësministrin italian për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë Ndërkombëtare, Ivan Scalfaroto, ku theksoi se Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse për investimet italiane në të gjithë rajonin.

Duke vlerësuar partneritetin strategjik, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionale midis dy vendeve, Presidenti Meta, i nxiti përfaqësuesit e sipërmarrjeve italiane të vlerësojnë potencialet e ekonomisë shqiptare, në fushat e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, agro-industrisë, etj.

Duke iu referuar në mënyrë të veçantë projektit TAP, Presidenti Meta nënvizoi se ai ka një rëndësi madhore, jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për të gjithë rajonin, si dhe për sigurinë energjetike të vetë BE-së.

Në këtë kuadër, Presidenti Meta vlerësoi si projekte strategjike me impakt të gjerë rajonal edhe nevojën e bashkëpunimit për modernizimin e infrastrukturës së rrjetit hekurudhor në Shqipëri, si dhe të realizimit të lidhjes së interkonjeksionit energjetik me Italinë.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e çmuar që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat