Qeveria blen 13 makina për prefektët e qarqeve, ja vlera dhe specifikat

Shqipëria

Qeveria blen 13 makina për prefektët e qarqeve, ja vlera dhe specifikat

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 08:28
Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur ditën e hënë procedurat për blerjen e automjeteve për prefektët e qarqeve dhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Në total janë 15 autovetura që do të blihen për një fond limit prej 35.5 milionë lekësh pa TVSH.

Pjesa më e madhe e këtij fondi shkon pikërisht për blerjen e automjeteve për prefektët, 32.5 milionë lekë. Pjesëtuar me numrin e automjeteve që do të blihen (13), del një vlerë prej 2.5 milionë lekësh për automjetesh. Ndërkohë, për dy autoveturat e KLSH, çmimi për njësi është vetëm 1.5 milionë lekë.

Në të dy rastet, automjetet kërkohen të jenë me kilometrazh 0, prodhim të viteve 2017 ose 2018, të kenë një motor që punon me naftë dhe të përmbushin normat e emetimit të CO2, Euro-6, shkruan "Scan".

Për prefektët kërkohen 13 automjete të kalueshmërisë së lartë, ose fuoristrada, me një shpejtësi së paku prej 180 kilometrash në orë dhe një konsum të karburantit të kombinuar prej 7 litrash për 100 kilometra.

Nga ana tjetër, automjetet e KLSH kërkohen më ekonomike, me një konsum prej 5 litrash për 100 kilometra.

Tenderi është i ndarë në dy lote, çka do të thotë se do të ketë dy kompani fituese. Operatorët ekonomikë mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më datë 15 mars 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat