Bushati: Brenda pranverës presim që Greqia të heqë “Ligjin e Luftës”

Shqipëria

Bushati: Brenda pranverës presim që Greqia të heqë “Ligjin e Luftës”

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 21:45
Ditmir Bushati

I ftuar gjatë mbrëmjes së sotme në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në “Report Tv”, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, deklaroi se Tirana pret që brenda pranverës Greqia të shfuqizojë “Ligjin e Luftës”. Kryediplomati shqiptar tha se shfuqizimi i këtij ligji, do bëjë të mundur që qytetarëve shqiptarë të cilëve u janë sekuestruar pronat në Greqi, t’u kthehen këto prona. Ai nuk nguroi të shprehë dëshirën për të konkretizuar këto marrëveshje, me një vizitë të kryeministrit grek në vendin tonë. Po kështu ai shtoi se këto vizita, shoqërohen me produkte konkrete dhe se kjo vizitë do të pasohet me të tjera në Greqi.

“Ka një dëshirë për t’u konkretizuar këto marrëveshje, me një vizitë të kryeministrit të Greqisë në Shqipëri. Nuk është se ka një datë, apo afat për këtë gjë. Vizita të këtij karakteri shoqërohen me produkte konkrete. Kjo vizitë do ketë produkte konkrete dhe do të pasohet me vizita të tjera në Greqi dhe takime të përbashkëta.

Ka çështje që duhet të zgjidhen në mënyrë të njëanshme. P.sh, shfuqizimi i Ligjit të Luftës dhe pasojave të tij është një akt i njëanshëm. Pala ka mohuar ekzistencën për një kohë të gjatë. Kam dëgjuar interpretime të ndryshme edhe këtu në Shqipëri lidhur me traktatin e miqësisë, që sipas tyre, paska ezauruar ligjin e luftës, por tashmë s’ka dyshime as për palën greke se ky ligj ekziston, ka pasoja për pronat atje, si pasojë e këtij ligji. Shpresojmë që ky ligj do të shfuqizohet në mënyrë që shtetasit shqiptarë që kanë prona në sekuestro, të gëzojnë këto prona.

Rifillimi dhe garantimi i procedurave në përputhje me standardet ndërkombëtare sa i takon vendprehjeve të eshtrave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Garantuam një marrëveshje e cila nuk ishte kundërshtuar në rrugë gjyqësore. Ka grupe të ekspertëve në terren që punojnë në terren. Janë dy vendprehje të firmosura që në 2009 mes Berishës dhe Karamanlis. Po negociojmë për heqjen e vulës apostolike, kursehen 4 mln euro në vit nga emigrantët shqiptarë”, u shpreh Bushati.

Marrëveshja e Detit, tha Bushati, do jetë një marrëveshje e re dhe do jetë më e mirë se ajo e 2009. “Çështja më delikate është demilitimi i hapësirës detare. Me Greqinë do kemi një marrëveshje të re detare“. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat