SHELL, gati marrëveshja e re hidrokarbure me qeverinë

Shqipëria

SHELL, gati marrëveshja e re hidrokarbure me qeverinë

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 18:34
Ilustrim

U deshën rreth tre vite negociata që qeveria shqiptare dhe kompania SHELL të arrinin finalzimin e marrëveshjes hidrokarbure për Bllokun 4, firmosja e së cilës pritet të bëhet këtë të martë (20 shkurt).

Burime pranë kompanisë thanë për “Monitor” se tashmë janë mbyllur të gjitha termat e negocimit dhe palët kanë dakordësuar draftin final çka i hap rrugë operacioneve të reja të holandezëve përveç atyre ne zonën e Beratit ku janë të përqendruar prej vitesh.

Blloku 4 i lokalizuar në juglindje të vendit kufizohet nga kufiri shtetëror midis Shqipërisë dhe Greqisë. Është një terren kodrinor-malor dhe maja më  e lartë është ajo e Nemërçkës. Ky bllok është i vetmi ndër 13 që ishin në total për të cilin po finalizohet një marrëveshje.

Qeveria gjatë vitit 2014 dhe 2015 nxori disa herë për shprehje interesi blloqet e lira të naftës por në shumë pak raste pati interes duke bërë që rishpallja të bëhej një praktikë normale. Situata nuk u favorizua as nga çmimet e ulëta të naftës në bursë ku shumë prej kompanive u detyruar në atë kohë që të ulnin planet e tyre të investimit si dhe zgjerimin e aktivitetit në zona të reja.

Paralelisht me SHELL interes shfaqi edhe Navitas për një tjetër Bllok por që deir më tani nuk ka asnjë zhvillim.

Shpimi në Pusin Shpiragu 4

Në janar të këtij viti kompania SHELL njoftoi nisjen e operacionit për pusin Shpiragu 4. Sipas të dhënave paraprake parashikohet që kostoja e këtij operacioni të shkojë të paktën 72 milionë dollarë për një afat prej 395 ditë dhe me një thellësi shpimi prej 6101 metra.

Pusi Shpiragu-4 klasifikohet si një pus i thellë dhe është pusi i katërt që shpohet nga kompania Shell Upstream Albania, pas atyre Shpiragu-2, Molishti-1 dhe Shpiragu-3. Për të ardhur deri tek shpimi i pusit, kompania ka kryer më parë një volum punimesh sizmike dhe një sërë studimesh përgjithësuese gjeologjike.

Shell prej vitesh ushtron aktivitetin e saj në kërkim sipas një sërë marrëveshjeve. Në përfundim të shpimit dhe testimit të pusit Shpiragu-2, në Dhjetor të vitit 2013, kompania Shell ka deklaruar se ka bërë një zbulim të ri në pusin Shpiragu-2. Për të vlerësuar kapacitetin naftëmbajtës të zonës janë duke u shpuar disa puse vlerësimi, sipas një Programi Vlerësimi.

Ky program ka për qëllim të  vlerësojë nafte dhënien, të përcaktojë madhësinë e rezervuarit dhe qëndrueshmërinë ekonomike të projektit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat