Komisioni "zien" në debate, Kumbaro i bën bisht përballjes për Teatrin Kombëtar!

Shqipëria

Komisioni "zien" në debate, Kumbaro i bën bisht përballjes për Teatrin Kombëtar!

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 15:53
Albana Vokshi

Pasi 80 artistë të skenës së ekranit i kanë drejtuar me 13 shkurt një peticion Komisionit të Edukimit dhe Informimit Publik, për zgjidhjen e çështjes së Teatrit Kombëtar, komisioni ka kërkuar zhvillimin e një seance dëgjimore me Ministren e Kulturës.

 Por të hënën në Komision janë paraqitur Sekretari i Përgjithshëm, Drejtorja e Kabinetit dhe Këshilltari për Legjislacionin në Ministrinë e Kulturës.

“E ftuam ministren të premten në datën 15. Ministrja na informoi qe e kishte të pamundur dhe vendosëm që ta thërrisnim të hënën. Ministrja ra dakord që do të ishte e pranishme dhe do të informonte komisionin. Siç duket u urdhërua nga kryeministri dhe nuk u lejua që të vinte pranë këtij komisioni”, u shpreh Albana Vokshi.

Deputetët e opozitës refuzuan të zhvillojnë seancën me stafin teknik të ministrisë.

“Ne kërkojmë në mënyrë të domosdoshme që të jetë e pranishme në seancë dëgjimore Ministrja e Kulturës. Sekretari i Përgjithshëm nuk është personi për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve dhe pyetjeve që kemi ne. Sekretari i Përgjithshëm nuk është status politik, është status administrativ”, tha Luciano Boçi.

Sipas deputetëve të pozitës Kryetarja e Komisionit u tregua e njëanshme në dhënien e fjalës me gjatë deputetëve te PD, ç’ka bëri që ata të largoheshin nga komisioni.

“Konferencat e shtypit bëjini atje tek PD. Nqs doni të flisni për problematikën e zhvillimeve të Kulturës, hajde flasim”, u shpreh Fidel Ylli.

“Unë mendoj qe grupi i PS duhet te largohet nga komisioni”, tha Milva Ikonomi.

“Të refuzojë opozita mënyrën arrogante te qeverisjes, është normale, por të largohet mazhoranca, është anormale”, tha Albana Vokshi.

Kryetarja e Komisionit ftoi Ministren e Kulturës të paraqitet brenda ditës së hënë në Komision për të zhvilluar seancën e programuar dëgjimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat