ALUIZNI, 1900 personat që do të marrin tapitë

Shqipëria

ALUIZNI, 1900 personat që do të marrin tapitë

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

ALUIZNI publikon listën me 1900 persona që kanë ndërtuar pa leje dhe kanë gati lejet e legalizimeve.

Përfituesit janë në qarkun e Elbasanit. Drejtoria e ALUIZNI-t bën të ditur se lejet e legalizimeve kanë qenë gati prej kohësh, madje janë dorëzuar edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por kjo e fundit nuk ka kryer asnjë veprim për pajisjen me certifikatë pronësie të përfituesve.

ALUIZNI bën të ditur se brenda pak kohësh të gjithë përfituesit do të pajisen me tapitë për pronën dhe se vonesat në shqyrtimin e dosjeve dhe pajisen me leje kanë marrë fund.

Tapitë

Procedurat për marrjen e tapive do të ndiqen nga AULIZNI, i cili dorëzon dosjen e plotë në hipotekë.

Menjëherë pas regjistrimit të certifikatës së pronësisë, përfituesit do të njoftohen për tërheqjen saj. Pas ndryshimeve të fundit ligjore, qytetari do të marrë një kopje për të vërtetuar mbarimin e procesit të legalizimit, por e gjithë procedura vijuese për regjistrimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të bëhet nga Agjencia. Ndërkohë që sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m².

Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim. Gjithsej leje legalizimi të dhëna në periudhën 2006-2015 janë 57.000. Sipas ligjit në fuqi, kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin.

Ndërsa në rastin kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë (parcelë dhe objekt) kryhet në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve. Në pjesë takuese të ndara, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet subjekteve lirisht dhe të depozituar brenda afatit të vetëdeklarimit. Subjektet mund të përcaktojnë përveç pjesës takuese edhe pjesët fizike respektive, nëse ndërmjet tyre përputhet vullneti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat