Manastirliu: Poliklinikën e Përrenjasit do ta rikonstruktojmë këtë vit

Shqipëria

Manastirliu: Poliklinikën e Përrenjasit do ta rikonstruktojmë këtë vit

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 12:57
Ogerta Manastirliu

“Brenda vitit nis rikonstruksioni i poliklinikës e Përrenjasit, e cila i shërben 40 mijë banorëve të kësaj zone”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në qarkun e Elbasanit, ku pa nga afër infrastrukturën dhe kushtet e kësaj poliklinike.

“Për ne si Ministri dhe për Qeverinë shqiptare është parësore ndërhyrja në infrastrukturën e qendrave të kujdesit shëndetësor për të garantuar shërbim cilësor sa më pranë komunitetit. Besojmë se brenda vitit nis rikonstruksioni i plotë i kësaj poliklinike në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Ministrja Manastirliu.

Mjekët e kësaj qendre vlerësuan angazhimin për të nisur ndërhyrjen në infrastrukturë pasi është e domosdoshme jo vetëm për banorët e Përrenjasit dhe rrethinave por edhe për urgjencat e shumta që pret kjo poliklinikë, e vendosur buzë rrugës nacionale. Edhe deputeti i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla theksoi domosdoshmërinë për ta rehabilituar këtë poliklinikë, dikur spitali i Përrenjasit, ku nuk është vënë dorë prej vitesh.

Gjatë vizitës në qarku e Elbasanit, Ministrja Manastirliu e shoqëruar nga deputetët e zonës u ndal në spitalin bashkiak të Librazhdit, ku sapo ka nisur procesi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë.

“Është nga të paktët spitale bashkiake që ofron shërbime shëndetësore të plota. Edhe falë sistemit të patronazhit shërbimi I kirurgjisë që ofrohet në këtë spital do të zgjerohet me ndërhyrje që nuk janë kryer më parë dhe jam shumë e kënaqur që edhe këtu ka nisur procesi i sterilizimit, duke garantuar më shumë siguri për pacientët me uljen drastike të infeksioneve spitalore për rreth 80 operacione në muaj që kryhen në këtë spital”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Një tjetër program I rëndësishëm që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur të zbatojë në të gjithë Shqipërinë është ai I kujdesit shëndetësor në komunitet. Manastirliu ndoqi nga afër procesin e vaksinimit dhe mamografive falas për komunitetin rom në lagjen 5 Maji në Elbasan.

“Vijon me sukses programi kombëtar i kujdesit shëndetësor në komunitet, tashmë me shërbime të integruara, duke filluar nga vaksinimi, depistimi i grave përmes mamografisë së lëvizshme dhe kujdesi për dhëmbët. Aksesi në shërbime është parësore në politikat tona, ndaj kemi vendosur të aplikojmë këtë program që po funksionon në të gjithë vendin, duke ofruar kujdesin shëndetësor bazë, aty ku janë nevojat, pranë komunitetit”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Më herët, gjatë vizitës në Qarkun e Elbasanit Ministrja Manastirliu u ndal në spitalin rajonal ku pa nga afër fillimin e procesit të integruar të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikale dhe premtoi se brenda vitit nisin investime të rëndësishme në këtë spital, duke filluar nga spitali i ri i Urgjencës dhe pajisja me aparatura biomjekësore si rezonanca magnetike, grafi, eko etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat