Shpallja e Llallës ‘non grata’ nga SHBA, Zogaj: Në listë ka të tjerë të korruptuar

Shqipëria

Shpallja e Llallës ‘non grata’ nga SHBA, Zogaj: Në listë ka të tjerë të korruptuar

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 10:28
Preç Zogaj

Analisti i njohur Preç Zogaj, ka komentuar vendimin e Departamentit të Shtetit, për të shpallur ‘non grata’, ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Përmes një shkrimi të gjatë të publikuar tek ‘Gazeta Panorama’, Zogaj thotë se Reforma në Drejtësi është një investim direkt i SHBA-së, dhe sipas tij, asgjë nuk mund ta ndalë zbatimin e saj.

“Këto janë “ushtritë” ndërluftuese. Thënë ndryshe, kjo është beteja e partnerëve amerikanë e europianë të Shqipërisë në aleancë me aktorët vendës të drejtësisë së re kundër rasteve të mëdha të korrupsionit, kundër horrave dhe horrllëkut të Shqipërisë. Kur do të nisë, si pritet të zhvillohet, a mund të jetë e njëanshme apo do të godasë majtas e djathtas, kush do të fitojë? Do të nisë tamam pasi të ngrihet SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Nuk do të jetë as e lehtë, as e shkurtër si betejë. Goditjet do të jenë ku të jetë vepra penale.”, -shkruan Zogaj.

Zogaj flet për një përballje që do të ketë mes atyre që janë investuar që Reforma në Drejtësi të zbatohet, dhe atyre që me çdo mjet do mundohen që të ndalojnë ecjen përpara të kësaj reforme.

Por, Zogaj është i sigurt, se po vjen një ndryshimi i madh në drejtësinë shqiptare, ku të korruptuarit do të fillojnë të japin llogari për abuzimet që kanë bërë, kur ata kanë qenë në pushtet.

“Kjo është ngjarja që po përcakton kohën e re politike të Shqipërisë. Në fakt, ka një betejë, përfundimi i së cilës do të përcaktojë të ardhmen e afërt dhe afatgjatë të vendit. Kjo është beteja midis drejtësisë së re në një anë dhe pandëshkueshmërisë në nivelet e larta në anën tjetër. Drejtësia e re është drejtësia e pavarur, e ndershme dhe profesionale që pritet të dalë nga zbatimi në germë dhe në frymë i Reformës në Drejtësi; janë trupa e prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të kalojnë vetingun, janë SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ku do të ketë prokurorë dhe oficerë amerikanë e europianë, është vetë përballja si asnjëherë tjetër e ligjit penal me korrupsionin dhe krimin në nivelet e larta.”, shkruan më tej Zogaj.

Analisti i njohur thotë se pas Llallës, do të ketë ndëshkime të tjera për persona që kanë pasur pushtet, për të cilët ata kanë dyshime se janë të përfshirë në abuzime me tenderët publik, dhe sipas Zogajt, nuk janë të paktë njerëz të tillë në vendin tonë.

“Vendimi i Sekretarit të Shtetit e çon më tej “verdiktin” e ambasadorit duke e akuzuar Adriatik Llallën si të përfshirë vetë. Ish-Prokurori i Përgjithshëm është ish-zyrtari i parë shqiptar shumë i lartë, të cilit i ndalohet hyrja në SHBA. Shpallja e tij “non grata” në tokën amerikane çel siparin e aplikimit edhe për Shqipërinë të një ligji që partneri strategjik nuk e kishte aplikuar deri sot me zyrtarët e lartë të Shqipërisë postkomuniste. Motivacioni është sakaq një paralajmërim i qartë se emra të tjerë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh janë në radhë, kandidatë efektivë për t’u përfshirë në listën e personave, të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA.

Shqipëria është një vend veçanërisht i pasur me zyrtarë të korruptuar, që plotësojnë kushtet e një mase të tillë. Masa ekstreme i shkon pikësëpari personit, ndaj të cilit është marrë. Por për vetë natyrën e rastit, një masë e tillë njollos gjithë sistemin e promovimit dhe mbajtjes në detyra shumë të larta të një zyrtari, për të cilin SHBA ka informacione të besueshme së jo vetëm nuk ka hetuar politikanët e korruptuar, por është përfshirë vetë në raste të mëdha korrupsioni. Do të thotë se për një kohë të gjatë, organi i akuzës që ka për detyrë të luftojë korrupsionin, ka qenë vetë problemi në kreun e saj.”, -thotë Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat