Meta në analizën e KLSH: Performancë e qëndrueshme në vitet e fundit

Shqipëria

Meta në analizën e KLSH: Performancë e qëndrueshme në vitet e fundit

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 16:01
Ilir Meta

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta ka marrë pjesë në  analizën  vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2017 nga ku e ka konsideruar punën e këtij institucioni si performancë të qëndrueshme dhe në rritje gjatë viteve të fundit.

Qëndrueshmëria sipas Metës, ka ardhur si rezultat i reformimit dhe modernizimit të praktikave audituese konform standardeve ndërkombëtare të auditimit duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në forcimin e mirëqeverisjes së institucioneve publike në vend.

Sipas, tij pavarësia dhe profesionalizmi i këtij institucioni janë shtyllat mbi të cilat duhet të vijojë puna e tyre.

“Ju duhet të drejtoni nëpërmjet shembullit tuaj, duke përcjellë tek publiku, si dhe tek institucionet e tjera perceptimin e paanësisë, profesionalizmit dhe integritetit, duke qenë pararojë e reformimit të proceseve, që garantojnë transparencë dhe maksimizojnë interesin publik”, ka thënë Presidenti gjatë fjalës së mbajtur.

Sipas Metës, performanca e këtyre institucioneve është tregues i përafrimit të standardeve të aplikuara në menaxhim me ato të vendeve të Bashkimit Evropian ku Shqipëria dëshiron të anëtarësohet. Kështu, për një shërbim të besueshëm Meta tha se “një moment tjetër i rëndësishëm për të ruajtur një shërbim të besueshëm, është përmirësimi i vazhdueshëm i trupës audituese. Është e vërtetë që trupa audituese certifikohet si e tillë, pas një programi trajnimi dhe testimi profesional, por ky trajnim duhet të jetë i vazhdueshëm dhe t’u përgjigjet kërkesave të kohës”.

Në analizën vjetore ishin gjithashtu të pranishëm Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, Auditori i Përgjithshëm i ZKA-së së Kosovës Besnik Osmani, Zëvendësauditori i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë Naser Ademi, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Anastas Angjeli, auditues me përvojë të KLSH-së, pedagogë, etj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat