Marku në Prokurorinë e Tiranës, akuza për Petrit Fushën: Hetime pa cilësi e pa organizim

Shqipëria

Marku në Prokurorinë e Tiranës, akuza për Petrit Fushën: Hetime pa cilësi e pa organizim

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 14:08
Arta Marku

Kryeprokurorja Arta Marku në analizën e Prokurorisë së Tiranës nuk i ka kursyer akuzat ndaj ish-drejtuesve të këtij institucioni. I fundit që ishte në këtë detyrë, Petrit Fushaj, Marku në fakt e largoi dhe e mori në Prokurorinë e Përgjithshme.

Duket se akuzat e Markut kanë qenë pikërisht në drejtim të tij, pasi vitet e fundit i vetmi drejtues ka qenë vetë Fushaj.

‘Në dimensionin cilësor rezultojnë dukshëm, hetime pa cilësi, sporadike të pa organizuara dhe me mungesë vizioni për t'u fokusuar në prioritetet që ka patur dhe ka prokuroria në luftën kundër krimit’.

Këto kanë qenë akuzat që ka lëshuar në drejtim të ish-drejtuesve dhe prokurorëve gjatë analizës në Prokurorinë e Tiranës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Në turin e saj të analizave vjetore në institucionet e akuzës, Marku nga Tirana tha se, “Prokurorët me kurajë dhe guxim duhet të fokusohen tek hetimi i çështjeve me karakter sensitiv dhe impakt në publik, si korrupsioni në të gjitha fushat dhe nivelet e çfarëdo lloji, abuzimi me pushtetin nga nëpunësit publik, lufta kundër drogës dhe grupeve kriminale që organizojnë dhe financojnë kultivimin, shpërndarjën e drogave ne qytetin e Tiranës”.

Ajo ka kërkuar nga prokurorët e kryeqytetit, ‘identifikim dhe hetim të personave me rekorde kriminale, me pasuri e stil jetese që nuk reflektojnë të ardhurat e tyre të ligjshme, me qëllim krijimin e kushteve për të regjistruar çështje penale për ‘pastrim të produkteve kriminale’ dhe ndëshkimin e subjekteve aktive, por dhe sekuestrim dhe konfiskim të asteve të vena me burime kriminale.

Edhe në Tiranë ajo kërkoi atë që e përsëriti edhe në rrethe të tjera, rritjen e bashkëpunimit me shërbimet e policisë gjyqësore për të analizuar çështjet e vjetra të pezulluara, kjo me qëllim rifillimin e tyre dhe ndëshkimin e autorëve, si një fillim i mirë për të rritur besimin e publikut tek agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organet e drejtësisë”.

Ajo kërkoi, ‘nxitjen e prokurorëve për të filluar hetime kryesisht, duke shfrytëzuar çdo informacion që mund të merret, nëpërmjet mediave apo burimeve të ndryshme informative’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat