73 vite më parë kryengritja e Kelmendit, Basha: Bijtë e komunistëve as sot nuk janë të qetë

Shqipëria

73 vite më parë kryengritja e Kelmendit, Basha: Bijtë e komunistëve as sot nuk janë të qetë

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 13:19
Lulzim Basha

Kreu i PD-së ka kujtuar sot 73 vjetorin e kryengritjes së Kelmendit kundër qeverisë komuniste të Enver Hoxhës.

Sipas Bashës, edhe sot pas 73 vitesh, bijtë e komunistëve nuk janë të qetë, sepse shkuan dhe i shembën edhe muret e kullës së Prek Calit.

Ja çfarë shkruan Lulzim Basha:

73 vjet më parë malësorët e Kelmendit i dolën përballë të keqes së madhe që po i avitej vendit dhe kombit, regjimit gjakatar, me kryengritjen e parë anti-komuniste në Europë.

Prijësi legjendar, Prek Cali u ngrit në këmbë për të mbrojtur lirinë, ashtu siç pati qëndruar për të mbrojtur trojet shqiptare të Kelmendit që falë tij i kemi dhe sot.

Për të gjithë qytetarët e lirë, për ne demokratët, kryengritja antikomuniste e Kelmendit është një burim frymëzimi, një shembull i kurajos e sakrificës për vlerat dhe orientimin europian.

Pasardhësit e komunistëve dëshmuan me shembjen që i bënë mureve të kullës së Prek Calit në Vermosh se ata nuk janë të qetë me heronjtë e vërtetë as sot, pas 73 vitesh. Sepse heronjtë e kësaj bande qeverisëse janë kriminelët dhe trafikantët me të cilët ndajnë milionat e krimit.

Ne demokratët dhe të gjithë qytetarët e lirë dhe të ndershëm, do ti kujtojmë përherë me nderim Prek Calin dhe kelmendasit e tjerë patriotë, si kalorës të lirisë, të atdheut, si mbrojtës të vlerave për të cilat qëndrojmë dhe që i kemi në themel të misionit tonë politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat