Berisha përballë Shullazit, cila është dilema e avokatëve

Shqipëria

Berisha përballë Shullazit, cila është dilema e avokatëve

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 07:56
Emiljano Shullazi

Ish-Kryeministri Berisha nuk do të jetë në sallën e gjyqit, seancën e javës që vjen ndaj Emiljano Shullazit.

Emri i tij është në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, por duket se përballja mes tij dhe Shullazit nuk do të ndodhë, të paktën për këtë muaj.

Në seancën e djeshme, gjyqtari Fran Prendi lexoi emrat e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja, ku mes tyre kanë mbetur Berisha dhe Ardian Çipa, ish-drejtori i Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit. Mirëpo, të kontaktuar nga “Panorama”, avokatët e të pandehurve thonë se ende nuk kanë vendosur nëse do ta thërrasin Berishën si dëshmitar në gjyq, apo do të tërhiqen prej tij.

Ata konfirmojnë se momentalisht, Berisha nuk është në planet e tyre, për seancën e ardhshme. Emri i ish-Kryeministrit u përmend në gjyq për herë të parë, gjatë dëshmisë së ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili sugjeroi se në vend të tij, në sallën e gjyqit duhet të ishte ish-kreu i qeverisë. Sa i përket seancës së djeshme, në gjyq dëshmoi avokati i shoqërisë “Saudi Brothers”, Bujar Kareci, i cili foli për biznesmenin Ylvi Beqja dhe për çështjen e ish-hotel “Vollgës”.

“Ylvi Beqjen e kam njohur në 2010- n. Gjatë asaj kohe, në cilësinë e avokatit kam përfaqësuar shoqërinë, ndërkohë që ishin zhvilluar disa procese për “Vollgën”. Ai që prishi çdo gjë, ishte një gjyq në vitin 2013. Gjyqi është zhvilluar pa praninë tonë si palë. Në këtë seancë, Gjykata e Durrësit ia kishte kaluar “Vollgën” Zamir Hasës. Kjo ishte pak e habitshme sepse të paktën për përshtypjet e mia, ajo pronë do të na kthehej, kjo pasi ligjërisht s’kishte asnjë arsye se pse të mos e merrnim.

Gjatë kësaj kohe, Ylviu na ka treguar se ndihej i kërcënuar dhe në rrezik për jetën. Ka qenë në 2015- n, kur më merr në telefon dhe donte të më takonte. E kam takuar te një lokal poshtë shtëpisë sime. Aty më tha se i kishte zgjidhur të gjitha problemet dhe se kishte kontaktuar me Emiljano Shullazin.

Më tha se ishte më i sigurt dhe i qetë”, tha Kareci para Gjykatës. Ai tregoi më tej se Ylvi Beqja i kishte kërkuar që të punonte i qetë për çështjen e “Vollgës”.

“Pas kësaj jemi takuar pesë deri në gjashtë herë, në pesë muaj. Në këtë periudhë dukej shumë optimist, ndërkohë që fliste me superlativa për Emiljano Shullazin.

Kur kam marrë vesh kallëzimin që kishte bërë Ylviu për Shullazin, u befasova”, shtoi më tej avokati. Kareci tha se Beqja kurrë nuk i ka shfaqur ndonjë shqetësim për Shullazin. Hera e fundit që kam takuar Ylvi Beqjan, ka qenë dy javë para se të bëhej denoncimi, pra, të dilte në media që Ylvi Beqja ka denoncuar Emiljano Shullazin.

Ai nuk më ka shfaqur asnjë shqetësim atë ditë, ndërkohë, dua të them që e gjithë kjo m’u duk shumë kontradiktore. Gjithashtu, dua të shtoj se më ka telefonuar edhe kur u bë dëshmitar i mbrojtur. Kur e kam takuar te shtëpia e tij, e kam pyetur se pse e bëri atë denoncim dhe më tha, “Lëre mos më pyet se ashtu është puna”. “Sa i përket ‘Vollgës’, Ylviu tha se më mirë t’ia kalonte Shullazit se Zamir Hasës”, përfundoi avokati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat