Patatja e Korçës në mëshirë të fatit! LSI: Qeveria të ndërhyjë, mos i braktisni fermerët

Shqipëria

Patatja e Korçës në mëshirë të fatit! LSI: Qeveria të ndërhyjë, mos i braktisni fermerët

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:34
Edmond Panariti

Në një kohë kur prodhimi i qidrna tonëve patate në zonën e Korçës rrezikon të hidhet në plehra, qeveria përmes Ramës i ka “sugjeruar” fermerëve që të mos prodhojnë patate, por LSI ka kundërshtuar qëndrimin e Kryeministrit duke e cilësuar si arrogant dhe aspak ndihmues.

“Nëse dikush ka pasion të mbjellë banane në Alpe le ta bëjë por s’mund të kërkojë mbështetje financiare nga ne” do të deklaronte Kryeministri këtë të mërkurë.

Nga ana tjetër LSI ka folur përmes Ish Ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti i cili ka deklaruar se një politikan nuk mund t’i drejtohet në të tillë mënyrë atyre fermerëve që ndodhen në një situatë kritike dhe presin shtrirjen e dorës nga ana e qeverisë.

Panariti është shprehur se qeveria duhet patjetër që të gjejë mundësinë që të ndihmojë financiarisht fermerët dhe jo t’u thotë mos prodhoni patate, në një kohë kur qindra tonë të tilla qëndrojnë stok dhe gati për t’u prishur. Ish Ministri i Bujqësisë ka kërkuar nga qeveria që të shohë mundësinë e eksportimit ose të kanalizimit të kësaj sasie në strukturat e saj (mensat, ushtria, burgjet etj).

“Natyrisht nuk mund ti drejtohesh fermerëve të Shqipërisë, të qarkut të Korçës me një thirrje që nuk jemi ne qeveria që do u blejmë juve produktet që nuk ju shiten. Sigurisht është shumë kollaj të shprehesh në mënyrë të tillë po kush është mesazhi që iu çohet fermerëve? Mos prodhoni? Sigurisht bujqësia është për të prodhuar dhe prodhon në bazën e traditës dhe hartës së rajonalizimit që tashmë është krijuar dhe është në veprim. Dhe është e zbatueshme edhe nga fermerët. Por ata nuk mund të lihen thjesht në mëshirë dhe në kapriço të tregut. Momentin kur patatja nuk tërhiqet ka një arsye.

Dhe arsyet janë në rradhë të parë se patatja e vendit pavarësisht se është shumë cilësore nuk është e çertifikuar. Pikërisht nga një absurditet që unë habitem pse po insistohet që të finalizohet deri në fund, i shkrirjes së drejtorive të bujqësisë. Të cilët kontrollojnë shërbimin e kontrollit të bimëve dhe që garantojnë që patatja jonë të plotësojë standardet që do të bënin të mundur natyrisht eksportin e saj sepse kërkesa për eksport për pataten natyrisht është prezente në shumë vende të BE dhe më gjerë.

Por ndërkohë që jemi në këtë ngërç sigurisht qeveria mund të ndërhyjë dhe të blejë prodhimin e fermerëve. Natyrisht gjithë ato nevoja të rrjetit të brendshëm të konsumit të institucioneve publike siç janë spitalet, mensat, ushtria, burgjet natyrisht se nuk ka pse të plotësohen me procedura tenderimi që synojnë të blejnë nga jashtë. Por mund të blehet produkti i mundit të fermerëve të Korçës, të Dibrës apo të Divjakës.

Pra për këtë është qeveria, që me ndërhyrjen e saj të mund të zbus sadopak, këtë bilanc negativ dhe këtë presion të pamerituar që prodhuesit vendas kanë në raport me prodhimet e importit. Unë mendoja që ky do të ishte dhe mesazhi që do të kishte prevaluar edhe me personelin e Universitetit të Bujqësorit të Tiranës, me stafin akademik, me studentët. Të cilët pikërisht duhet të ishin dëgjuar më tepër sesi e mendojnë ata kapërcimin e këtij ngërçi. 

Çfarë kërkojnë fermerët? Fermerët prodhojnë, kërkojnë akses  në treg dhe të gjitha politikat qeveritare duhet të synojnë pikërisht që prodhimin ta çojnë në treg në mënyrë sa më të shpejtë, efiçente me sa më pak firo dhe paratë në vend që të ndahen si asistencë sociale të ndihmojnë blerjen e produktit, lidhjen e tij e tregun dhe sigurisht të kthehen në instrument zhvillimi, inkurajimi për ata fermerë të cilët me mundin dhe sakrificat e tyre bëjnë ç’është e mundur që të mbijetojnë dhe natyrisht të krijojnë të ardhura për ekonomitë e tyre familjare, por sigurisht edhe të ardhura për ekonominë kombëtare.”-tha Panariti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat