Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor përjashtohen nga pagesa e TVSH-së

Shqipëria

Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor përjashtohen nga pagesa e TVSH-së

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 14:39
Niko Peleshi

Pas fermerëve të vegjël, edhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor nga java që vjen do të përjashtohen nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi gjatë një takimi me studentë të Universitetit Bujqësor në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama tha se 89% e fermerëve kanë më pak se 2 ha tokë .

Me kaq pak tokë, theksoi Peleshi, fermerët nuk mund të bëhen të pasur. Por shtoi si, mundësitë janë të mëdha dhe një ndër to është kooperimi.

“Kemi shembuj të shkëlqyer ku fermerët e vegjël bashkëpunojnë duke krijuar ndërmarrje më të mëdha, çka ka sjellë edhe rritjen më të shpejtë të tyre. Nga java që vjen shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së . Do të hiqet edhe barriera e fundit për kooperimin e fermerëve”, informoi Peleshi.

Sipas tij , kjo formë bashkëpunimi ju jep fermerëve mundësi më të mëdha për të marrë më shumë fonde përmes skemave të mbështetjes kombëtare. “Skema kombëtare jep 25-50% më shumë financim për kooperimin”, tha Peleshi.

“Por këtë duhet ta dinë fermerët. Kohën nuk e kanë kaq të tepërt, ndaj ndërfaqja ndërmjet fermerit që pret informimin dhe institucioneve (në këtë rast AZHBR që ka financimin) do të jeni ju”, iu drejtua ministri- studentëve.

Peleshi prezantoi edhe skemat e mbështetjes për fermerin.

Skema kombëtare ka shkuar në 20 milionë euro, ndërsa IPARD-i, programi i ri i Bashkimit Europian që nis këtë vit ka shkuar në 94 milionë euro. Fermerët e rinj deri në 35 vjeç, përmes skemave të reja të mbështetjes përfitojnë 25% më shumë grant ndërsa për bizneset e vogla jo bujqësore në fshatra mbështetja shkon deri rreth 5 mijë euro.

Orientimi drejt prodhimit ‘BIO’, ngritja e rrjetit të produkteve tipike në të gjithë Shqipërinë, por edhe një marketing më i mirë i produkteve bujqësore, ishin çështje te tjera tek i cili u ndal ministri Peleshi.

“Ne do të ngremë një rrjet të produkteve tipike në të gjithë Shqipërinë, do të krijojmë hapësirën për akses në treg të këtyre produkteve por duhet trajnim për fermerët, sesi të sjellin në treg këto produkte si t’u shtojnë vlerën në mënyrë që ata të krijojnë ekonominë komplementare me ekonominë e vogël bujqësore”, tha Peleshi.

Sipas ministrit Peleshi në vitin 2017 krahasuar me 2016 eksportet në bujqësi u rritën me 20%, ndërsa eksporti i perimeve u rrit me 33%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat