BE thirrje Prokurorisë: Përgjegjësia juaj që të çoni para ligjit grupet kriminale

Shqipëria

BE thirrje Prokurorisë: Përgjegjësia juaj që të çoni para ligjit grupet kriminale

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 12:26
Romana Vlahutin

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, në ceremoninë e zhvilluar ditën e sotme, në kuadër të nisjes nga puna të programit PAMECA V, mision i BE që asiston autoritet shqiptar, ka kërkuar nga Prokuroria që të jetë më e angazhuar në luftën kundër krimit.

Në fjalën e saj, duke vlerësuar punën e policisë muajit e fundit, Vlahutin u shpreh se të gjithë presin që puna e prokurorisë të jetë më eficente për të goditur bandat dhe grupet kriminale.

Po ashtu, ambasadorja e BE theksoi se nuk duhet të ketë persona që kanë kryer krime dhe të jenë mbi ligjin, pavarësisht emrit apo funksionit të tyre dhe sipas saj është përgjegjësia e prokurorisë që ata të shkojnë në gjyq.

“Në 2017 ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Dhe unë besoj se ky është vetëm fillimi, që përfundimisht duhet të forcohet dhe të ndiqet nga operacione të ashpra që duhet të godasin interesat kyçe të krimit.

Në këto përpjekje është thelbësore puna e prokurorisë. Dhe ne të gjithë presim për rezultate më efiçente të hetimit të krimit. Nuk ka njerëz që nëse kanë kryer krim të jenë mbi ligjin, pavarësisht emrit apo funksionit të tyre. Është përgjegjësi e prokurorisë për t'u siguruar që ata të shkojnë në gjyq.” -u shpreh Vlahutin, transmeton Express.

Drejtori i Marrëdhënieve Juridike me Autoritetet e Huaja në Prokurorinë e Përgjithshme, Arqile Koça pohoi se prioritet mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese.

"Përtej angazhimit të vazhdueshëm të gjithë bashkë kemi konstatuar se institucionet ligjzbatuese kanë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe ato në lidhje me infrastrukturën dhe teknologjinë, për t'iu përgjigjur me efikasitet dhe pa kompromis luftës kundër grupeve kriminale dhe trafiqeve ndërkombëtare. Institucioni i Prokurorisë shpreh vullnetin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave të punës tuaj, pasi ne jemi të bindur se ato konvergojnë me objektivat tona" tha Koça.

Në ceremoninë e zhvilluar, i pranishëm ka qenë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit si dhe ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian që mbështesin projektin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat