Të miturit shqiptarë rrezikojnë gjithçka për t’i shpëtuar kurthit të varfërisë

Shqipëria

Të miturit shqiptarë rrezikojnë gjithçka për t’i shpëtuar kurthit të varfërisë

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 14:37
Ilustrim

Me duart e kryqëzuara mbi gjoks dhe trupin e lëshuar në karrige, Eltoni* shpjegon arsyet se pse u kthye vitin e kaluar nga Franca në shtëpinë e tij në Shkodër në veri të Shqipërisë. “Qëllimi im ishte shkolla, por më thanë ‘merr çantat e ik’. Më treguan derën”. Ai ngjan si çdo adoleshent tjetër europian: mban veshur atlete sportive, xhinse të ngushta dhe një bluzë në ngjyrë vishnje të ngjitur pas trupit. Por në korrik, kur sapo kishte mbushur 16 vjeç, Eltoni u largua nga shtëpia, siç thotë pa dijeninë e prindërve në kërkim të një jete më të mirë- në ndjekje të mundësive që nuk janë bërë ende realitet që prej kohës kur Shqipëria doli nga izolimi i regjimit të ashpër komunist në fillim të viteve ’90. Mijëra fëmijë të tjerë shqiptarë kanë bërë të njëjtën gjë.

Të dhënat e autoriteteve italiane dhe franceze si dhe të Eurostat tregojnë se vetëm në Itali, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndodhen rreth 3 mijë fëmijë shqiptarë të moshës 7-17 vjeç, të cilët kanë aplikuar për azil përgjatë 4 viteve të fundit.  Shtrati ligjor i kërkesave të tyre është pretendimi se ata u braktisën nga prindërit. BIRN kontaktoi dhe foli me familjarë, të cilët mes turpit të varfërisë dhe mungesës së shpresës për të ardhmen i dërguan fëmijët e tyre adoleshentë që të gënjenin se ishin të braktisur jashtë vendit; me të rinjtë e larguar që këmbëngulin se do të iknin gjithsesi edhe pa miratimin e prindërve; me familje që morën borxh mijëra euro për të udhëtuar bashkë me fëmijët, të cilëve u thanë lamtumirë larg prej shtëpisë në një përpjekje të dëshpëruar për t’u dhënë një jetë më të mirë.

Adoleshentët e intervistuar i bashkon besimi se Shqipëria nuk mund t’u ofrojë asgjë në krahasim me vendet europiane- por shpresat e tyre u thërrmuan me të mbërritur atje nga pritja e ftohtë dhe burokracitë e panevojshme. 27 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria mbetet ende vendi i dytë më i varfër i Europës. Prindërit thonë se fëmijët e tyre i pret një e ardhme e zymtë dhe e pasigurtë në vendin e korruptuar, ku sipas tyre vetëm njerëzit me lidhje politike dhe me para mund të shpresojnë për më tepër se punët e rëndomta. E pyetur nga BIRN, zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se vala e emigracionit të të miturve përbën shqetësim, ndërsa shtoi se qeveria po bën gjithçka për ta frenuar atë si dhe për të përmirësuar kushtet ekonomike në vend.

“Po aplikojmë në mënyrë rigoroze rregullat e lëvizjes së lirë si dhe po mbrojmë grupet vulnerabël. Unë besoj se do t’ia dalim, pasi sfida e shpallur edhe nga kryeministri është rritja ekonomike,” tha Voda. Eltoni është një nxënës i dalluar në vitin e dytë të studimeve në një shkollë të mesme në Shkodër. Por babai i tij 43-vjeçar, Agimi thotë se nuk ka as lidhje politike dhe as para për rryshfet ndaj ka frikë se i biri do të përfundojë kamarier edhe nëse kryen universitetin. Në shtëpinë e tij në një fshat periferik të Shkodrës, Agimi thotë se kishte ndjesi të përziera kur mësoi se i biri kishte ikur në Francë për të kërkuar azil. “U shqetësova, por edhe m’u bë qejfi me thënë të drejtën sepse është kosto e madhe për mua,” tha ai.

“Kur s’je i zoti me i dhënë dorën fëmijës tënd, kot që rron!”. Të dhënat e Eurostat tregojnë se të ardhurat për frymë kanë ngecur në vend që nga viti 2008 dhe përbëjnë sot vetëm 26 % të mesatares së Bashkimit Europian. Papunësia kronike është 14 %. Një sondazh i publikuar në qershor 2017 nga Gallup e rendit Shqipërinë të tretin vend në botë për dëshirën për të emigruar-pas Sierra Leones dhe Haitit. Sipas sondazhit, 56 % e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. “Emigracioni dhe kontrabandimi lulëzojnë atje ku ka një dëshirë shumë të madhe për t’ú larguar nga vendet,” tha për BIRN Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.

“Është e pamundur që njerëzit të bëhen pre e këtyre fenomeneve, nëse ata janë mirë në vendin e tyre,” shtoi ajo. Në vitet 2014-2015, një valë e madhe shqiptarësh u largua nga varfëria dhe mungesa e mundësive drejt vendeve të BE-së, me shpresën se do të fitonin të drejtën e azilit. Megjithatë, Shqipëria u shpall vend i sigurt origjine në vitin 2015 dhe shanset që kërkesat e tyre të pranohen janë thuajse zero. Në pranverë, Shqipëria shpreson që të hapë negociatat me Bashkimin Europian. Rruga e integrimit u bllokua për vite me radhë nga rivaliteti i brendshëm politik dhe niveli i lartë i korrupsionit.  Vala aktuale e fëmijëve të pashoqëruar që aplikojnë për azil është një njollë e re në reputacionin ndërkombëtar të vendit.

Shumica e këtyre fëmijëve vijnë nga zonat e varfra dhe të pazhvilluara të veriut dhe verilindjes së Shqipërisë. Fenomeni ka prekur gjithashtu periferitë e qyteteve të mëdha si Fieri, Elbasani apo Korça. Azilkërkuesit e mitur shpresojnë që me të mbushur 18 vjeç do të kenë mundësinë e lejeve të përkohshme të qëndrimit apo të kontratave të punës, të cilat jepen në varësi të nivelit të tyre të integrimit. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar-një destinacion kryesor për adoleshentët shqiptarë, shumë prej tyre arratisen nga qendrat e azilit në prag të mbushjes së moshës dhe kthehen në emigrantë ilegalë, në mënyrë që të mos jenë të detyruar të kthehen në Shqipëri.

Dyer rrotulluese

Riatdhesimi i minorenëve është një proces i ndërlikuar që fillon me vlerësimin ekonomik dhe social të familjeve të tyre dhe finalizohet me krijimin e një ambienti miqësor për mbështetjen e kthimit të tyre në shtëpi. Por Shqipëria nuk është ende e aftë që të adresojë problemet e stanjacionit ekonomik dhe ato të papunësisë. Organizatat që ndihmojnë qeverinë shqiptare në ri-integrimin e azilkërkuesve të mitur paralajmërojnë se shumë prej të kthyerve përpiqen të largohen sërish nga vendi, duke ndërmarrë rreziqe të reja për ta.

Jezerca Tigani, përfaqësuese e organizatës Terre Des Hommes për Shqipërinë dhe Kosovën thotë se fëmijët në rrezik të lartë trafikimi nuk duhet që të riatdhesohen, ndërsa kritikon qeverinë shqiptare për atë që ajo e sheh si pranim të çdo kërkese që u vihet përpara nga vendet e BE-së. “Shqipëria duhet të rishikojë marrëveshjet bilaterale të ripranimit me vendet e Bashkimit Europian,” thotë ajo. “Hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk duhet parë si levë për të rikthyer të miturit vulnerabël”. Me ndihmën e organizatave si Terre Des Homme dhe IOM, fëmijët ndihmohen të riintegrohen përmes ndërtimit të mikrobizneseve për familjet e tyre apo përmes trajnimit dhe mbështetjes për shkollim. Megjithatë, këto programe kufizohen vetëm te një numër i vogël i të rikthyerve.

Valbona Tula, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror në Shkodër-institucion që vlerëson kushtet ekonomike të familjeve të azilkërkuesve të mitur thotë se ka ardhur që institucionet të identifikojnë problematikat e mprehta të familjeve, të tilla si papunësia apo shkollimi. “Bashkë me pushtetin vendor ne duhet të shkojmë derë më derë për t’u përballur me problemet e familjeve. Vetëm atëherë do të jemi në rrugë të mbarë,”thotë ajo. Përtej qëllimeve të mira, BIRN zbuloi se disa prej të miturve që janë regjistruar si të riatdhesuar nga shërbimet sociale janë larguar sërish nga vendi. Një 16-vjeçar nga një fshat i Elbasanit është rikthyer në Gjermani, ndërkohë që një i dytë i riatdhesuar nga Gjermania i tha BIRN se ndodhej në një shtet tjetër, emrin e të cilit refuzoi ta tregonte.

“Tani jam 18-vjeç dhe mund të shkoj ku të dua,” u përgjigj ai. Ky nuk është rasti i Endrit*, një 17 vjeçar nga Fieri që u deportua nga Greqia pasi kaloi 25 ditë i mbyllur në një qeli vitin e kaluar. Ndryshe nga të miturit e tjerë të intervistuar, Endri ishte në kërkim të një pune dhe jo të një qendre azili. Gjatë procesit të riatdhesimit, ai u takua me një punonjëse sociale të Terre Des Hommes-organizatë që financon tashmë kursin e tij 9 mujor për saldator. “Nëse nuk do të më gjendeshin pranë, të nesërmen do të merrja rrugën sërish për në Greqi. Por tani dua të marr një diplomë, dua të jem edhe unë dikushi në jetë,” thotë Klajdi me zë të mekur. Por djali i ri ambicioz e mban një gjysmë syri hapur përtej kufinjve dhe kurthit të varfërisë së Shqipërisë: “Ky zanat është mjaft i kërkuar edhe jashtë shtetit”.

Pa të ardhme në Shqipëri, rasti i Eltonit që kërkon të shkollohet

Eltoni u nis drejt Francës me shpresën se do t’i jepte rrugëzgjidhje shkollimit të tij të dekurajuar nga prindërit. Familja e tij mbijeton falë punës së vështirë në bujqësi dhe për ta, një krah i fortë pune sot është bast më i volitshëm se investimi i gjatë dhe i pasigurtë në arsim. Ai e planifikoi udhëtimin me xhaxhanë e tij dhe thotë se e kaloi pa problem doganën e Muriqanit në kufi me Malin e Zi.

Bashkë me shoqëruesin e tij të rritur të cilin e thërret “zotëria”, udhëtuan me makinë përmes gjashtë shteteve derisa mbërritën në Nancy, një qytet i vogël rreth 800 kilometra në Lindje të Parisit. Para se të nisej, Eltoni kishte siguruar një deklaratë noteriale të firmosur nga i ati pasi e kishte gënjyer atë se do të shkonte për një vizitë të shkurtër te të afërmit në Itali. Por 16-vjeçari thotë se askush nuk ia kërkoi atë në pikën kufitare të Muriqanit. “Dhamë vetëm pasaportat për kontroll dhe nuk patëm probleme,” shton ai. Ai i tha BIRN se me anglishten që dinte nuk e pati të vështirë të gjente kampin e azilantëve, prej nga e transferuan shpejt në një qendër sociale për shkak të moshës së mitur.

Fëmijët e pashoqëruar sistemohen zakonisht në qendra sociale, shtëpitë e fëmijës apo familje kujdestare. Me të mbërritur aty, shpresat e Eltonit për një të ardhme të re u zhdukën me shpejtësi. “Që në fillim punonjësja sociale më tha që kisha fare pak shanse për të qëndruar. Më shpjegoi se duhej të prisja 9 muaj për një vendim [për statusin e tij] . Kërkova disa herë mundësinë për të ndjekur shkollën apo ndonjë kurs të gjuhës frënge, por m’u përgjigjën: ’Prit ose ja ku e ke derën’. Kur e kuptova se dera për ne ishte e mbyllur atje, e quajta humbje kohe dhe bëra kërkesë që të kthehesha në shtëpi”. Të dhënat e policisë tregojnë se 466 minorenë u riatdhesuan gjatë vitit 2017, pasi përpjekjet e tyre për azil dështuan. Policia bllokoi gjithashtu 871 minorenë të tjerë në kufinjtë e vendit gjatë 2017-s.

Megjithatë, zyrtarët thonë se vetëm masat e shtrënguara të sigurisë nuk mundet ta ndalin dallgën e emigracionit mes të rinjve. “Fatkeqësia e madhe është se Shqipëria nuk është më një vend që të ndjehet prej të miturve se ata mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre këtu. Qeveria dhe politika në tërësi duhet të na japin një vend më të mirë për të jetuar,” thotë Ballanca. Agimi i tha BIRN se ka punuar gjithë jetën pa mundur të kursejë ndonjë qindarkë. Por kur i biri u largua nga shtëpia, policia e akuzoi atë për braktisjen e të miturit. Braktisja e fëmijëve nën 16 vjeç përbën vepër penale në Shqipëri dhe parashikon dënime deri në 3 vjet burg. Qeveria po merr në konsideratë ashpërsimin e saksioneve të tilla pas presionit nga disa vende të BE-së.

Agimi flet me përçmim për zellin që qeveria po tregon në mbylljen e kufijve dhe e bën atë përgjegjëse për gjendjen e familjes së tij. “Ne kemi shumë pak të drejta këtu, por mungesa e punës është kryesorja. Duhet të paguash 5 mijë euro që të gjesh një punë [në sektorin publik],” thotë ai. Kjo është një ankesë e kudogjendur. Rreth 180 kilometra në jug të Shkodrës ndodhet fshati Petovë i qarkut të Fierit. Fshati ndahet në mes nga rruga e asfaltuar, ndërkohë që shumica e banorëve mbijetojnë falë punës sezonale në serat e perimeve apo me kursimet e të afërmve të tyre emigrantë. Të dyja palët ndajnë shqetësime të njëjta: punë të pasigurta dhe pamundësi  për tú siguruar fëmijëve kuotën e përditshme të parave për të shkuar në shkollë. Besniku* heziton për disa minuta përpara se të hapë portën e shtëpisë së tij. “Në gjendjen që jemi katandisur ne, na vjen turp që jemi prindër,” thotë ai për dërgimin e të birit jashtë vendit.

“Por ç’zgjidhje kishim tjetër?” pyet më tej. Besniku nuk klasifikohet te familjet me kushte ekstreme të varfërisë, por gushtin e kaluar udhëtoi vetë bashkë me të birin, Sajmirin 15 vjeç, fillimisht në Danimarkë dhe më pas në Itali. Familja mori 150 mijë lekë kredi [ 1100 €] dhe babë e bir u përpoqën fillimisht të kalonin doganën e Qafë-Thanës për në Maqedoni, por policia dyshoi dhe i ktheu pas. Të nesërmen ata morën një autobus të dytë për në Kosovë dhe e kaluan pikën kufitare të Morinit vetëm pasi shoferi e fshehu djalin në banjën e autobusit. Pasi mbërritën në Danimarkë, Sajmiri* u frikësua dhe iu lut të atit që ta dërgonte në një vend më të afërt me Shqipërinë. Besniku pranoi dhe të dy udhëtuan drejt jugut. “Kur ikëm këtu ishte 40 Gradë, por atje binte shi dhe ishte ftohtë,” thotë Besniku. “Unë doja shumë që ai të qëndronte në Danimarkë, por ai u tremb nga ideja se ishte shumë larg shtëpisë. Këmbënguli që të shkonim në Itali, ndaj morën autobusin e radhës dhe udhëtuam për në Peruxhia”.

Qendra për azilkërkuesit e mitur në Nancy si një çerdhe bullizmi

Besniku i tha lamtumirë të birit përballë një poste policie dhe për 10 ditë jetoi me ankthin e mungesës së lajmit prej tij. Më pas, djali u telefonoi dhe familja u qetësua, por aventura e të birit nuk zgjati shumë. Punonjësit socialë zbuluan se ai kishte hallën në Itali dhe e dorëzuan atë në shtëpinë e saj. “Halla na kërkon të shkojmë ta marrim pasi ajo me zor rrit fëmijët e saj,” thotë nëna e Sajmirit. “Ai qan çdo ditë dhe do të kthehet në qendrën sociale”. “Ai këtu nuk mund të rrijë asnjë ditë më tepër, do t’i hynte ndonjë rruge të keqe,” thotë e ëma me dënesë. “Zemrën e kam plagë, por mendoj vetëm për të mirën e tij,” shtoi ajo.

Besniku ka edhe dy fqinjë të tjerë në të njëjtën situatë me të: babanë e një 15-vjeçari që ka kërkuar azil në Lion të Francës dhe nënën e një 16-vjeçari që ndodhet në Torino të Italisë. “Nisi shkollën e mesme në Fier dhe për tre muaj vetëm ziheshim,” thotë Gëzimi, një 53 vjeçar i papunë.  Nuk kisha mundësi që ta mbaja me para, i thosha ‘nuk të përgjigjem dot’. Ai me mësime ishte mirë, por kishte hallin e shokëve,” shton ai. Gëzimi thotë se nuk e di sesi i biri mbërriti në Francë dhe as dëshiron që ai të kthehet në shtëpi-një mundësi që e quan “skëterrë për të ardhmen e të birit”.

“Ai këtu humbi gjithçka-atje po mëson frengjisht dhe po pret të hyjë në shkollë. Të ndahet prindi me fëmijën në moshë kaq të vogël është shumë e rëndë, por unë nuk mund t’i jap një të ardhme këtu,” thotë ai. Një tjetër nënë pohon se varfëria e detyroi të birin të braktiste shtëpinë. “Im bir qante dhe kërkonte të ikte me patjetër. Vinte me shokët deri te porta e shtëpisë dhe kishte turp që të tregonte se banonte këtu,” thotë ajo, ndërsa tregon me gisht trarët e kalbur të shtëpisë së varfër. “Qëllimi im ishte shkolla, por më thanë ‘merr çantat e ik’. Pritshmëritë e prindërve për të ardhmen e fëmijëve të tyre në Perëndim nuk bazohen në realitet.

Shumë prej tyre besojnë se fëmijët e tyre do të kenë automatikisht një strehë mbi kokë, ushqim dhe edukim të siguruar. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se është pothuajse e pamundur që të miturit shqiptarë të përfitojnë azil. Ndryshe nga të rriturit, fëmijët e braktisur kanë të drejtën e strehimit dhe akses në shërbime sociale derisa të mbushin 18 vjeç. Këto mundësi kanë megjithatë një çmim. Eltoni e përshkruan qendrën në Nancy si një çerdhe bullizmi. Ndërsa shpresat e tij për të mësuar gjuhën dhe ndjekur shkollën nuk ishin aq të thjeshta për t’u realizuar. Përgjatë dhjetë javëve të qëndrimit, ai e përdori qendrën si fjetore ndërsa ditët i kalonte duke u vërdallisur pa ndonjë qëllim në qytet.

Gjatë kësaj kohe, numri i fëmijëve në qendër u rrit nga 40 në 70, mes të cilëve edhe një 12-vjeçar nga qyteti i Laçit. Kur e kuptoi se nuk kishte asnjë shans për shkollë, ai kërkoi që të kthehej në Shqipëri. “Më hipën në një taksi bashkë me një djalë tjetër shqiptar dhe na lanë biletat e avionit në duar,” thotë Eltoni. “Udhëtuam për 400 kilometra nga Nanci në Bruksel me një të huaj. Policët në aeroport u habitën që punonjësi social nuk ishte me ne,” shton ai. Edhe kur mbërriti në Tiranë, Eltoni e kaloi kontrollin si një turist dhe nuk u intervistua. Zyra e emigracionit të Komisionit Europian nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN mbi trajtimin e minorenëve shqiptarë në vendet e BE-së. Ëndrra e Eltonit për t’u bërë inxhinier duket tashmë më e largët se kurrë.

“Mosha ime është e gënjyer, mendojnë se atje do t’i kenë të gjitha gati,” thotë ai. Në Lion, Edmond Bogdani, drejtori ekzekutiv i fondacionit për mbrojtjen e fëmijëve SE-AL thotë se azilkërkuesit e mitur përjetojnë trauma të mëdha ndërsa kalojnë nëpër qendrat sociale. Që kur ngriti qendrën e tij në vitin 2013, ai ka strehuar rreth 50 të mitur shqiptarë mes 9 kombësive të tjera dhe pohon se shumë prej tyre donin dëshpërimisht të ktheheshin në shtëpi. “Para tre- katër muajsh erdhën njëherësh katër minorenë: dy vëllezër 15 dhe 13 vjeç, një 14 vjeçar dhe një  16 vjeçar. Që të katërt ishin në gjendje të rënduar psikologjike. Dy vellezërit qanin gjithë ditën dhe dy të tjerët nuk donin që të qëndronin aty,” kujtoi Bogdani për BIRN.

“Kam pasur edhe një rast kur lanë njërin prej binjakëve. Qante çdo ditë për të vëllanë,”shton ai. Bogdani thekson megjithatë se jo të gjithë të miturit shqiptarë shtyhen nga kushtet e vështira drejt Francës dhe se një pjesë e tyre reflektojnë vese që gjenden rrallë mes të miturve të kombësive të tjera. Shumica e adoleshentëve 16-18 vjeç-tregon ai-janë duhanprirës ndërsa kërkesat e tyre për të pasur para xhepi çdo ditë shihet me çudi nga familjet kujdestare. “Të gjithë thonë të njëjtën gjë; kam ardhur që të shkoj në shkollë, të bëj para dhe të ndihmoj familjen. Por vetëm ata që vijnë vërtet nga familje të vuajtura kanë një motiv për jetën…,” shtoi ai. Bogdani thotë se shanset edhe tani të vogla për azil dhe integrim të shqiptarëve po veniten. Nga tetë të mitur që ai asistoi në vitin 2013, vetëm katër arritën të merrnin leje të përkohshme qëndrimi në Francë. “Këshilli lokal nuk ka dhënë asnjë kontratë të re për adultët e rinj në 2017-n , përfshirë shqiptarët,” thotë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat