Tejkalohet objektivi i nismës “Një Libër më shumë për Preshevën”

Shqipëria

Tejkalohet objektivi i nismës “Një Libër më shumë për Preshevën”

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 22:09
Ilustrim

Nisma “Një Libër më shumë për Preshevën” e ndërmarrë nga një grup studentësh, ka tejkaluar objektivin e saj minimal brenda një harku të shkurtër kohor.

Në një kohë që ende nuk është mbushur një muaj nga nisja e fushatës, grupi nismëtar i këtij projekti bëri të ditur se deri më tani janë grumbulluar mbi 1 mijë libra kulturoro-artistikë në shqip, çka ishte edhe kufiri i objektivit të vendosur që në fillim të kësaj nisme nga studentët e masterit shkencor “Marrëdhënie me Publikun”, në Kolegjin Universitar “Bedër”. 

“Pavarësisht se objektivi fillestar i fushatës, e cila duhet të mbyllet me një aktivitet në Preshevë në fillim të muajit mars, tashmë është tejkaluar, ky sukses na ka ndihmuar të shohim drejt dimensioneve të reja për ta shtrirë mesazhin e kësaj nisme studentore edhe më shumë”, u shpreh drejtuesja e fushatës Arjola Buzi, e cili konfirmoi se falë mbështetjes personale të Zv.Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shpati Kolgega ka nisur tashmë prezantimi i nismës edhe tek institucionet arsimore në vend, sidomos në Tiranë.

Nismës “Një Libër më shumë për Preshevën” i janë bashkuar personazhe të rëndësishme të jetës publike në Shqipëri dhe jashtë trojeve, ndërsa individë, shtëpi botuese dhe biznese kanë ndihmuar grupin e studentëve që të mbledhin një numër të konsiderueshëm librash, mjetesh mësimore dhe shuma monetare, në ndihmë të fëmijëve dhe mësuesve shqiptarë në Luginën e Preshevës, teksa bibliotekat e shkollave në këto zona kanë mangësi të theksuara të teksteve shqip.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat