KLD pezullon nga detyra 3 gjyqtarët e Apelit të Durrësit

Shqipëria

KLD pezullon nga detyra 3 gjyqtarët e Apelit të Durrësit

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 16:19
Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri

Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e djeshme pezulloi nga detyra tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit – Durrës mes tyre edhe kryetarin e kësaj gjykate. Me anë të një kërkese të dërguar vetëm 4 ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve, më konkretisht Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri. “Pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve, vendosi pezullimin e tyre.”-thuhet në njoftimin e KLD-ës.

Ndërsa në qëndrimin e prokurorisë, argumentohet se për sa kohë të tre gjyqtarët e Apelit Durrës janë nën hetim ata duhet të pezullohen deri në përfundim të hetimeve. Edhe më herët Krimet e Rënda kanë bërë kërkesë për pezullimin e tyre, duke iu drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit, por që të dyja këto gjykata e rrëzuan kërkesën e prokurorisë. Ndërsa ka qenë KLD-ja që ka bërë pezullimin e tyre në një mbledhje urgjente të zhvilluar paraditen e djeshme. Nga burimet mësohet se mbledhja ka qenë e qetë ndërsa pezullimi i tre gjyqtarëve është bërë pas referimit të materialit të dërguar nga prokuroria. Gjithashtu në mbledhje u caktua gjyqtari Desart Avdulaj për të ushtruar përkohë- sisht detyrën e kryetarit së kësaj gjykate.

Sipas dyshimeve të prokurorisë këta gjyqtarë së bashku me biznesmenin, Namik Sadiku, kanë udhëtuar jashtë vendit dhe kanë parë ndeshjen e futbollit Real Madrid-Barcelona në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palë pikërisht këtë biznesmen. Gjyqi lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina. Çështja gjyqësore është fituar nga paditësi Oliver Ushina, në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, por është rrë- zuar nga Gjykata e Apelit duke bërë që fitues i çështjes të dalë biznesmeni Namik Sadiku. Edhe pse ky i fundit më herët në një reagim në media ka mohuar të ketë udhëtuar me gjyqtarët, për prokurorinë e cila rendit udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin si prova të forta. Ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat e “korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe të “korrupsionit pasiv”. Por kush janë tre gjyqtarët e pezulluar nga KLD?! Ndonëse kjo është afera e parë për të cilën prokuroria ka nisur hetimet, ndaj tyre ekzistojnë disa dyshime për vendime të marra në kundërshtim me ligjin.

Petrit Çeno

Gjyqtari Petrit Çeno ka qenë pjesë e trupës gjykuese që në vitin 2016 liroi nga burgu Lul Berishën të konsideruar si kreu i Bandës së Durrësit, kur kishte edhe 5 vite dënim nga totali prej 25 vitesh. Gjithashtu në portalin “Stop korrupsionit në drejtësi” të hapur në vitin 2013, një qytetar u shpreh se ky gjyqtar në dëmin tij pa marrë parasysh faktet që kishte paraqitur si dhe pa e parë fare dosjen, për arsye se kishte marrë para nga pala kundërshtare mori një vendim arbitrar. Më tej përflitet për shumë vendime të tilla, ndërsa ajo që bie në sy është jeta luksoze e djali të tij, i cili edhe pse zyrtarisht është i papunë, bën pushime në Majemi, Nisë, Montekarlo dhe shumë vende të tjera.

Kliton Spahiu

Gjyqtari Kliton Spahiu është emëruar në Apelin e Durrësit pas një karriere të gjatë në Gjykatën e Kurbinit. E ndërsa hetohet për korrupsion, ai në deklaratat e pasurisë së dorëzuara në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive rezulton se ka raportuar disa skedina fituese për të justifikuar pasurinë. Ai ka deklaruar se ka fituar në total 2 791 676 lekë dhe 4246 dollarë prej lotove sportive në vitet 2012-2014.

Petraq Dhimitri

Gjyqtari Petraq Dhimitri punon prej vitit 2010 në këtë Gjykatën e Durrësit. Ai më parë njihej si Petraq Koço ndërsa ka qenë pjesë e trupës gjykuese që ri konfirmoi lirimin Ilir Xhakës për akuzën e vrasjes së Qerim Malokut në vitin 1998. Edhe pse KLD konstatoi shkelje në vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, edhe Apeli mori të njëjtin vendim. Ndërkohë që ndaj gjyqtarit të Shkallës së Parë nisi edhe një hetim për “shpërdorim detyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat