Flet Nano: BE do të bëjë sikur nuk di gjë për problemet tona

Shqipëria

Flet Nano: BE do të bëjë sikur nuk di gjë për problemet tona

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 10:44
Hahn dhe Mogherini

Në BE po diskutohet për zgjerimin, ndërsa Shqipëria është në pritje të vendimeve që do të merren.

A i plotëson kriteret vendi ynë për të marrë ftesën për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE? Po arrestimet e fundit ose ata që mund të priten në të ardhmen, a janë kusht që vendi ynë të ketë një datë hapjesh negociatash brenda këtij viti?

Shikoni, vendi ynë nuk i plotëson kriteret. Këtë e dimë të gjithë. Mjafton të shohësh se si kacafyten partitë e politikanët shqiptarë në Tiranë, në Kuvend e jashtë Kuvendit, për të kuptuar se Shqipëria nuk është ende gati për të hapur negociatat. Por nuk është kjo çështja. Çështja është nëse BE-ja “do të bëjë sikur nuk di gjë”. Thënë me fjalë të tjera, duhet shpresuar që BE-ja të ketë një interes të vetin t’i hapë këto negociata me Shqipërinë (e me Maqedoninë, Bosnjën, Kosovën). Sado e çuditshme apo e padrejtë të duket, arrestimet e fundit, apo edhe të tjera në javët që do të vijnë (nëse do ketë), mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Këtu brenda këto arrestime mund të futen në lupën e ligjshmërisë, e mund të lexohen si veprime arbitrare, por në Bruksel do ketë një lexim tjetër. Zyrtarët e Brukselit mund t’i shohin arrestimet e dënimet e zyrtarëve të lartë si një provë se në Shqipëri ka filluar realisht lufta ndaj korrupsionit, gjë që ka përbërë një shqetësim për BE-në.

Pas çdo vendimi pozitiv ose negativ, si do të ndikojë kjo për vendin tonë? Në rast shtyrjeje të hapjes së negociatave, a mund të kthehet një politikë edhe më agresive apo do nxisë palët, veçanërisht qeverinë, për të plotësuar kriteret strikte që mund të vendosen?

Kryeministri, e të tjerë nga mazhoranca, kanë krijuar pritmëri të mëdha lidhur me hapjen e negociatave, por mua nuk më duket se punët janë kaq mirë. Asgjë nuk është e sigurt. Komisioni Europian duket se e ka ndarë mendjen ta japë rekomandimin e vet (në prill), por vendimin do ta marrin vendet anëtare në qershor. Dhe në këtë pikë gjërat komplikohen. Ka vende që nuk janë të bindura se Shqipëria ka bërë aq sa duhet. Mjafton edhe një vend i vetëm të dalë kundër, dhe rekomandimi del të jetë një letër pa asnjë vlerë. Këto vende mund të ndryshojnë mendim veç nga ndonjë frikë se zvarritja e procesit për vendet e Ballkanit perëndimor mund t’i dekurajojë forcat “reformatore” në këto vende, mund të dekurajojë edhe opinionin publik, i cili vijon të mbetet shumë pro europian.

Po flitet për zgjerimin e BE-së, por edhe brenda saj ka dy rryma që diskutojnë që Ballkani Perëndimor është më mirë pranë BE-së, sesa jashtë saj, qoftë edhe pa plotësuar “kriteret rigoroze”. Cili është qëndrimi juaj, ndërsa vende të tjera të fuqishme jashtë BE-së po shtrijnë ndikimin në Ballkan, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe politike.

Po, këtu kemi të bëjmë me një arsye tjetër që mund ta bëjë BE-në ta përshpejtojë me pahir procesin e integrimit të këtyre vendeve në BE, edhe në rastin që këto vende nuk janë gati. BE-ja duket qartazi që është e shqetësuar prej rolit të Kinës e të Rusisë, ndoshta edhe Turqisë, në Ballkan. Dhe në Bruksel nuk janë të interesuar që t’u lënë fushë për të luajtur këtyre fuqive jo europiane. Kjo është një koniunkturë që mund të favorizojë Shqipërinë. Ne kemi përfituar shpesh herë në histori prej koniunkturave. Nuk është çudi të përfitojmë edhe këtë herë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat