Çamët reagojnë për deklaratën e president grek: Flet si nazist!

Shqipëria

Çamët reagojnë për deklaratën e president grek: Flet si nazist!

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 20:16
Idrizi

Ka reaguar ashpër ditën e sotme PDIU dhe Shoqata Patriotike Atdhetare Çamëria lidhur me deklaratën e presidentit të Greqisë Prokopis Pavlopulos, se nëse vendi ynë do të ngrejë si problem çështjen çame, atëherë vendi fqinj do të vendosë veton për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në deklaratë thuhet se reagimi i President grek, ishte mjaft shqetësues, si me qenë përfaqësues i partisë naziste ‘Agimi i Artë’.

Deklarata e plotë e PDIU dhe “ Shoqatës Patriotike Atdhetare Çamëria”

Nuk është qëllim, as mision që t’i përgjigjemi çdo lloj marrëzie që na dëgjojnë veshët nga politikanët e vendit fqinj.

Por, kur deklaratat e përroit psiqik vijnë nga kreu i shtetit, Grek ,Prokopis Pavlopulos, atëherë dy fjalë duhen thënë.

Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian nuk mund të kalojë nga lindja, por kalon nga Perëndimi. Aq më shumë kalon nga vlerat evropiane. Nëse Shqipëria do të heshte përballë shkeljes së të drejtave të njeriut ajo nuk do ta kishte kurrë vendin në BE.

Prandaj, të drejtat e njeriut të shqiptarëve të Çamërisë duhet të jenë devizë e politikës sonë të jashtme.

PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare të reagojë përpara këtyre deklaratave të papranueshme.

Është e tepërt heshtja përballë fyerjes dhe përbuzjes.

Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë minimumin e dinjitetit dhe të interesit kombëtar duke reaguar ndaj fyerjeve, përndryshe turpi i bjerrjes së interesave kombëtare do t’i ndjekë nga pas përjetë.

I trimëruar, pse gjendej i rrethuar nga uniforma ushtarake, Presidenti grek me rol ceremonial brenda institucioneve të vendit fqinj, kërcënoi Shqipërinë me mundësinë e përdorimit të vetos për integrimin europian, nëse Tirana guxon dhe e përmend Çështjen Çame.

Madje, ai shtoi se të përmendësh çamët në ditën e Holokaustit, është diçka paradoksale, duke thënë thagmën se çamët jo vetëm kanë bashkëpunuar me nazistët, por paskan zhdukur edhe popullsinë hebreje.

Ky politikan që teorikisht duhet të përfaqësojë garantin e Kushtetutës dhe të gjithë qytetarëve shtetas të Greqisë (pra dhe të minoritetit shqiptar dhe arvanit në këtë vend), është hakërruar ndaj Shqipërisë si të jetë një militant nazist i “Agimit të Artë”.

Çështja Çame është gjallë, ekziston dhe do të mbetet e këtillë, derisa të zgjidhet.

Ka vetëm një rrugë që Çështja Çame të mos ekzistojë; të zhduken nga faqja e dheut shqiptarët e Çamërisë, ata që janë ende gjallë dhe i mbijetuan genocidit shovinist grek, por dhe ata që erdhën më pas.

E vetmja mënyrë që zoti Pavlopulos ka që të thërrasë deri në në kupë të qiellit që ne, çamët nuk ekzistojmë, është të na eleminojë të gjithëve, të çojë deri në fund veprën mizore të Napoleon Zervës.

Përndryshe, sa të jetë gjallë, qoftë dhe një shqiptar i vetëm Çështja Çame do të ekzistojë, do apo nuk do Prokopi dhe soji i tij.

Përsa i përket popullsisë së martirizuar hebreje dhe Holokaustit është mirë t’i kujtojmë Presidentit grek, 25 marsin e vitit 1944, ku nën drejtimin e kryeministrit kuisling grek, Joani Ralli u çuan brenda tre orësh në kampet e shfarosjes naziste 1725 hebrenj të Epirit, mes të cilëve dhe shqiptarë të Çamërisë.

Vetëm tre orë ju desh para-ardhësve të Pavlopulosit për të bërë gjëmën.

Prandaj, ja ku po i themi Presidentit “trim”: Sado të kërcënosh me veto, pa veto, me ushtarë e pa ushtarë, Çështja Çame ekziston, përderisa ne bijtë e Çamërisë marrim ende frymë.

Nëse na do përballë, përballë do na kesh!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat