Bushati: Përkujtimi i Holokaustit, mësim kardinal historie

Shqipëria

Bushati: Përkujtimi i Holokaustit, mësim kardinal historie

Më: 30 janar 2018 Në ora: 16:04
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me ambasadën e Izraelit në Tiranë, zhvilluan sot në kuadër të Ditës së Kujtesës së Holokaustit, aktivitetin “Fisnikët mes Kombeve: shpëtimi i hebrenjve në një periudhë urrejtjeje”, gjatë të cilit u çel ekspozita “Përtej detyrës” mbi diplomatë të njohur si “Fisnikët mes kombeve”.

I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i Izraelit në Tiranë Boaz Rodkin shprehu mirënjohje për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që prej 5 vitesh tashmë, ka krijuar traditën e përkujtimit të 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit.

“Popullata shqiptare në mënyrë të jashtëzakonshme, mbrojti dhe strehoi familjet hebraike, duke rrezikuar veten, duke u bërë një shembull, një mësim që vlen jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen, tha ambasadori.

Nga ana e tij, ambasadori i Suedisë Johan Ndisi, në fjalën e tij tha se kjo ditë, nuk është  thjesht një ditë përkujtimi, por duhet të jetë edhe një ditë reflektimi për brezat. 

“Kjo ditë duhet të vlejë për të na mësuar dhe kujtuar se guximi, mikpritja, e veçanërisht kuraja personale janë të rëndësishme për të evituar dhunën dhe diskriminimin ndaj grupeve dhe komuniteteve të ndryshme të njerëzve në ditët e sotme”, tha ambasadori suedez.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se do të vijojë tradita e nisur në vitin 2013 për përkujtimin e Ditës së Holokaustit si një mision i rëndësishëm në krijimin e një shoqërie më tolerante dhe që ka në qendër të saj, respektimin e të drejtave të njeriut.

“Motoja e këtij viti, jo më kot, është “përtej detyrës”, sepse mësimet e nxjerra nga Holokausti e tejkalojnë detyrën imediate. Ato shndërrohen në mësime kardinale historie. Nuk është e rëndësishme që fill pas Holokaustit u hartua Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Ishte kushtrimi i njerëzimit për të mos harruar atë çka ndodhi dhe për të mos lejuar të ndodhë sërish’, u shpreh ministri.

Në vijim, nxënësit e shkollave të mesme u njohën nëpërmjet ekspozitës, me historinë më të errët të Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht me historitë e diplomatëve të njohur si “Fisnikët mes kombeve” që sakrifikuan për të shpëtuar hebrenjtë.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, ministrisë së Kulturës, ministrisë së Arsimit, Komisionit të Politikës së Jashtme, komuniteteve fetare etj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat