Vrasja në Tiranë, hakmarrja për Franc Konomin dhe prishja e pazareve të drogës

Shqipëria

Vrasja në Tiranë, hakmarrja për Franc Konomin dhe prishja e pazareve të drogës

Më: 30 janar 2018 Në ora: 14:42
Franc Konomit

Pas vrasjes së Franc Konomit, në korrik të 2010 nëna e tij tregoi për gazetarët se një prej policëve, pasi i dha sendet personale të të birit, e përcolli jashtë komisariatit dhe i tha: “Ata që kanë qëlluar në mes të kamerave në Spanjë, nuk e kishin për gjë që të qëllonin edhe këtu”

Kristina Konomi i përsëriti këto fjalë në media, me shpresën se po tregonte një detaj domethënës për ngjarjen. Tetë vite më parë nuk patën asnjë kuptim por siç rrodhën ngjarjet, kuptohet se vrasja e Franc Konomit vazhdoi me një seri ekzekutimesh të tjera, që lidhen me trafikun e drogës në Spanjë.

Devi Kasmi, me emrin e mëparshëm Dëfrim Kasmi, njeriu që u ekzekutua duke dalë nga shtëpia e tij, me dy pistoleta në brez kishte jetuar në Spanjë, ku dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge. Ai kishte qenë mes të dyshuarve për vrasjen e Franc Konomit, megjithëse policia nuk pati prova ta implikonte.

Edhe emri Domart Konjarit ka qenë i lidhur me atë të Franc Konomit. Të dy miqtë e ngushtë kanë qenë të përfshirë në një seri konfliktesh me grupe të tjera rivale në Tiranë, që datojnë nga vitet ’90, në kohën kur të fortët ndaheshin sipas lagjeve. Domart Konjari është nga të paktët që kanë mbetur gjallë, tanimë një burrë 45 vjeç, i implikuar në vrasje dhe trafik droge që nga kohët kur Tirana ishte e ndarë mes Naim Zyberit dhe Gaz Muçës.

Policia e konsideron Konjarin të dyshuarin kryesor për organizmin e atentatit të Devi Kasmit, që e ndjente kërcënimin me vdekje përderisa lëvizte me dy pistoleta në brez. Viktima u qëllua nga dy persona me motor qëlluan me 9 plumba. Në shtëpinë e viktimës, policia gjeti 2.8 kilogram kokainë dhe një automatik me silenciator.

Dyshimet janë se vrasja e organizuar nga Konjari është e lidhur me vrasjen e Franc Konomit dhe prishjen e pazareve të drogës jashtë Shqipërisë, megjithatë ende nuk ka asnjë provë për këtë. Shpallja edhe njëherë në kërkim e Domart Konjarit, (ai ka qenë shpallur në kërkim prej më shumë se dy vitesh) tregon dështimin e gjykatave dhe policisë, që nuk arrijnë të neutralizojnë banditë historikë në Tiranë.

Në dosjen e prokurorisë, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje. Ekzekutimi i Gentian Dervishit në 1998, vrasja e Erion Muratit në 2003 në Rene të Francës, apo vrasja e Fatjon Naxhakut në gusht të vitit 2005 në Tiranë.

Sipas dosjes që sollën francezët dy vite më parë, Domart Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, nga Amerika e Jugut për në Francë. Si pasojë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur disa vrasje, ku në dy raste, 42-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.

Domart Konjari u bë personazh i mediave të Tiranës, kur u lirua nga burgu gati dy vite më parë. U arrestua rastësisht me pasaportë false ndërsa kalonte kufirin nga Greqia. Nga verifikimi doli që ishte shpallur në kërkim në Francë, ku ishte dënuar me 10 vite burg. Arrestimi i Konjarit në Shqipëri ishte një mrekulli për francezët.

Por siç është tradita në Shqipëri, Domart Konjari u lirua para se të ekstradohej. Autoritetet franceze reaguan ashpër. Thanë se kishin shpenzuar miliona euro për ta gjetur dhe prisnin ekstradimin e vrasësit shqipatr. Ylli Manjani, në atë kohë Ministër i Drejtësisë e kaloi me një kërkesë për falje. Lapsi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat