Rama në alarm, kërkon rikthimin e “xhaketave të vjetra” të PS-së

Shqipëria

Rama në alarm, kërkon rikthimin e “xhaketave të vjetra” të PS-së

Më: 30 janar 2018 Në ora: 14:03
Edi Rama

Duke parë se edhe pakënaqësitë ndaj tij janë rritur edhe vetë brenda PS-së, Rama dje bëri një lëvizje të papritur. Ai i bëri një ftesë për rikthim në radhët e PS ish-kryeministrit Fatos Nano. Pasi e mbajti larg duke mos ja kursyer edhe akuzat me të cilat justifikoi përfshirjen e tij në listat e deputetëve që nga koha që mori drejtimin e PS, kreu i qeverisë shqiptare ka bërë një ftesë të hapur duke thënë se ka ardhur koha që energjitë e Fatos Nanos, por edhe të larguarve të tjerë të bëhen bashkë për të marrë në dorë përgjegjësitë e së ardhmes së Shqipërisë. ‘Për ti dhënë mundësinë e atyre që janë më të rinj që nuk e njohin mjaftueshmërisht historinë tonë që nuk kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë protagonistët e së djeshmes.

Sigurisht që duhet të bëj bashkë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Et’hem Rukën, Luan Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë njerëz që kanë pasur përgjegjësira të mëdha në momente të caktaura me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe pesha’ është shprehur Rama. Ftesa e Ramës vjen në një kohë kur ish-kryeministri ka bërë një fushatë pozitive për qeverinë e PS, duke sulmuar LSI. Nano u shfaq përkrah kryeministrit edhe në disa aktivitete, njëri prej të cilëve me karakter sportiv. Në garën parlamentare 2013 Nano mbështeti iniciativën si kandidat i vetëm të Arben Malajt duke qenë se ai nuk u përfshi në listat e PS nga vetë Rama. Deklarata e kryeministrit u bë gjatë një takimi të fondacionit “Qemal Stafa” i krijuar në vitin 2008 kur PS ishte në opozitë.

Rama deklaroi nga mbledhja e grupit të PS-së se Shqipëria është vetëm një hap larg hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa është gati për çdo temë për dialog me opozitën për hir të interesit kombëtar. Akuzat e opozitës për kapjen e drejtësisë, ai i cilësoi si dokrra, duke shtuar se SHBA dhe BE nuk do të lejonin kurrë një gjë të tillë. E ndërsa akuzoi opozitën se për Reformën në Drejtësi ka qenë në vijmësi në një pozicion anti historik, Rama i bëri thirrje për dialog për Reformën Zgjedhore që mos të mbetet gjithçka për në momentin e fundit. “Shqipëria është afër çeljes së negociatave me BE. Reforma në Drejtësi, fillimi i punës për Vettingun dhe mbi të gjitha qartësia se ky është një proces që nuk ka shans të pengohet apo bllokohet janë një bazë shumë solide për marrjen e një rekomandimi të pastër nga KE.

Nuk ka një moment ndalimi dhe procesi vazhdon ditë për ditë. Rezultat spektakolar në luftën kundër kanabisit. Propaganda për kapjen e drejtësisë janë dokrra, pasi SHBA dhe BE nuk do të lejonin shfaqen më të vogël të përpjekjes për kapjen e drejtësisë. Opozita ka të gjithë të drejtën e vet për një axhendë që nuk përputhet me fokusin që të gjithë duhet të kenë për hapjen e negociatave, ne kemi detyrimin për të krijuar kushte për dialog me opozitën. Mbi tema të interesit kombëtar të të gjithëve dhe nëse në temën e drejtësisë opozita ka qenë në vijmësi në një pozicion anti historik, kjo është përgjegjësi e saj, por shpresoj dhe uroj që në temën e reformës zgjedhore të ketë dialog dhe sens urgjence për të mos i lënë cështjet për në momentin e fundit. Ne jemi të hapur që edhe në tema të tjera ku opozita do të kërkojë dialog dhe mirëkuptim, asnjëherë të mos jetë shumica jonë problemi” deklaroi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat