Vrasje, gjobëvënie e kanabis e shkuara kriminale e Lul Kullës

Shqipëria

Vrasje, gjobëvënie e kanabis e shkuara kriminale e Lul Kullës

Më: 14 janar 2018 Në ora: 00:34
ilustrim

Lul Kulla, 42-vjeç, të cilit iu bë atentat me tritol sot në lagjen “Rus” të Shkodrës, pranë biznesit të tij, është emër i njohur për policinë për shkak të të kaluarës së tij kriminale.

Ai njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se
ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në këtë qytetit, por për ngjarjen nuk është dënuar
askush.

Në qershor të vitit të kaluar, Lul Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në
Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.Ndërkohë, Report Tv mëson gjithashtu se Lul Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus”. Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti.

Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar. Në objektin ku iu vendos tritoli, Lul Kulla ka në pronësi një lokal si dhe disa ambiente të dhë me qira. Në katin e dytë të ndërtesës ndodhen zyrat e shoqatës së minoritetit malazez të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit. Një prej automjeteve të dëmtuara nga shpërthimi është një fuoristrade me targë AA 444 CX, e cila dyshohet se i përket pikërisht Lulzim Kullës.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Blutë kanë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan./Shqiptarja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat