Prokuroria nuk bind: KQZ kërkon informacion shtesë për Rehovicën

Shqipëria

Prokuroria nuk bind: KQZ kërkon informacion shtesë për Rehovicën

Më: 3 janar 2018 Në ora: 12:53
Gledion Rehovica

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të shtyjë marrjen e vendimit për deputetin e LSI, Gledion Rehovica.

Prokuroria ka kërkuar heqjen e mandatit për deputetin Rehovica, por KQZ vendosi se informacioni nuk është i mjaftueshëm.

Për këtë arsye, ata kërkuan që organi i akuzës të sjellë informacione shtesë.

Vendimi u mor me katër vota pro dhe dy kundër.

Votat kundër ishin të anëtarëve të PD në këtë komision.

Vetë Rehovica është paraqitur në mbledhjen e KQZ, ndryshe nga deputeti i PDIU, Aqif Rakipi.

Në kërkesën që ka përgatitur Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e mandatit të Gledion Rehovicës thuhet se deputeti “është raportuar për një vjedhje dyqani në vitin 1999” dhe se kjo është raportuar nga “autoritetet italiane”.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, anëtari i LSI Gëzim Veleshnja tha se prokuroria duhet të sqarojë se çfarë do të thotë “raportuar”, nëse ka pasur denoncim ndaj Rehovicës apo ka pasur ndalim, procedim apo gjykim.

Po ashtu, Veleshnja tha se duhet saktësuar se kush nga autoritetet italiane ka sjellë materialet për prokurorinë.

Për këtë është kërkuar që mbledhja e KQZ të shtyhet dhe prokurorisë t’i kërkohen sqarime të mëtejshme për këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat